Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “jo e besoj, por e kam bindje absolute që është në dorën tonë që ne të arrijmë objektivin e 2027-s”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me kritikat e mëparshme për burokraci nga ana e BE-së, Rama tha se, “ne dhe unë personalisht jo vetëm që e besojmë këtë që themi, por bazuar mbi këtë besim ne zhvilluam para pak kohësh edhe një fushatë të tërë zgjedhore, ku i kërkuam shqiptarëve të na japin mbështetjen, të na japin një mandat të fortë për Shqipërinë 2030 në BE. Kështu që në këtë kuptim pyetja është drithëruese”.
“Ndërkohë që sa i përket çfarë kam thënë unë për BE-në tanimë ka një kohë relativisht të gjatë që e kam thënë atë që kam thënë, të cilave nuk i heq asnjë presje, pasi në atë periudhë Komisioni Evropian i propozonte Këshillit që të hapeshin negociatat dhe Këshilli refuzonte për shkak të dy a tre vendeve që po i bëheshin pengesë këtij procesi”, nënvizoi Rama.
Rama u shpreh se u bë disa kohë që jetojmë në një realitet tjetër në raport mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Ndaj pyetja ishte për t’u mbajtur mend, sepse sot ne jemi në një situatë kur, siç tha dhe Presidentja, kemi hapur pesë nga gjashtë grup-kapitujt e negociatave vetëm në 11 muaj. Eshtë një kohë rekord për nga shpejtësia. Ne kemi bërë detyrat tona se në Bruksel nuk të dhuron njeri asgjë, duhet t’i fitosh të gjitha ato që kërkon nuk diskutohet që nuk do të ndodhte sidoqoftë ky proces me këtë shpejtësi, nëse nuk do të kishte një vullnet të madh jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga vendet anëtare në këtë fazë”.
“Ishte e gjithë BE-ja, të paktën unë kështu e shoh që prej disa kohësh nuk ka lëkundje fare që duhet mbështetur procesi i anëtarësimeve të reja, duhet mbështetur Ballkani Perëndimor, duhet mbështetur Shqipëria është vullnet i përgjithshëm, ndaj kjo sintoni me Komisionin dhe BE është e plotë. Viti 2027 nuk është një vit që e pamë në ëndërr këtu në Tiranë dhe tani po ia tregojmë shqiptarëve se është një vit që e kemi përcaktuar së bashku Komisionin Evropian si objektivin e negociatave. Ky objektiv lidhet detyrat që ne bëjmë këtu, me reformat, me masat që janë të gjitha të kalenderizuara dhe të detajuara”, theksoi Rama.
Nëse ne, vijoi Kryeministri, do të vazhdojmë kështu me këtë ritëm, me këtë këmbëngulje dhe me këtë sukses në çdo hap, ne do t’ia dalim që në 2027-n ta bëjmë detyrën tonë.
“Komisioni në kujtesën time gjithmonë e ka bërë detyrën e vetë, pra ka qenë objektiv në vlerësimin e punës sonë, pastaj do të kemi periudhën kur vendet anëtare do të shprehen një nga një për të ratifikuar në parlamentet e tyre anëtarësimin tonë në BE dhe kjo është një fazë tjetër. Unë, jo e besoj, por e kam bindje absolute që është në dorën tonë që ne të arrijmë objektivin e 2027-s, sepse kam bindjen absolute se Presidentja nuk lëviz nga pozicioni i saj që nuk është pozicioni i sotëm, por është pozicioni i ditës një kur është zgjedhur herën e parë dhe në twitter-in e parë që ka bërë si Presidente e Komisionit e sapozgjedhur ka shkruar: “Ky është një komision gjeopolitik””, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “përtej burokracisë, se burokracisë nuk i shpëtojmë dot, se po t’i shpëtojmë burokracisë do të thotë që Silvio Gonzato nuk do të ishte kaq i rëndësishëm për BE-në këtu në Tiranë”.