Kryeministri Edi Rama, së bashku me delegacionin shoqërues, do të udhëtojë sot drejt Brukselit për të marrë pjesë në samitin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, një ngjarje e rëndësishme televizive e organizuar nga Euronews.
Ky samit do të bashkojë liderët e vendeve anëtare dhe atyre kandidate të BE-së për të diskutuar mbi të ardhmen e procesit të integrimit europian.
Samiti i Zgjerimit i Bashkimit Europian, i pari në formatin e tij, do të shërbejë si një platformë e re dialogu mes drejtuesve më të lartë politikë të Ballkanit Perëndimor me të Europës, në një kohë kur zgjerimi i Bashkimit Europian ka marrë një shtysë të re pas zhvillimeve gjeopolitike të viteve të fundit.
Rreth orës 14:30, kryeministri Rama do të jetë pjesë e panelit të “EU Enlargement Summit”, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski.
Shqipëria vijon të konsiderohet si një nga vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, me një objektiv të qartë për t’u bërë pjesë e tij deri në vitin 2030.
