Rama në Spitalin Veterinar në Tiranë: Një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor

nga D. V.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Spitalin Veterinar, i cili hapi dyert në kryeqytet si spitali më i madh për kafshët në rajon.

Kryeministri Edi Rama vizitoi spitalin e ri dhe u takua me stafin e mjekëve, të cilët shërbejnë me përkushtim duke pritur minimumi 100 vizita në ditë duke ofruar zgjidhje edhe për diagnozat më të ndërlikuara të shëndetit të kafshëve.

Ky projekt, është ngritur nga katër mjekë të rinj veterinerë: Emre Aslan, Erko Prifti, Martin Llazani dhe Marvin Brahja, duke shënuar një arritje në sektorin veterinar shqiptar.

Gjatë vizitës, kryeministri Rama vëzhgoi nga afër dhomat e ekzaminimit. “Eko për zemrën, kardio, abdominale, salla e trajtimit, zona me kujdes intensiv, kafaze të oksigjenuar, me temperaturë të kontrolluar, tavolinat e trajtimit, një dhomë operimi. Kjo është pjesë e laboratorit. Kujdesi intensiv për të sëmurët më rëndë. Këtu është vetëm për macet. Kemi dy dhoma për macet joinfektive, pra të sëmura, por që nuk kanë sëmundje infektive, që të mos kalojë sëmundja”, shpjegoi një nga mjekët e stafit, ndërsa shtoi se “ka rreth 100 klientë në ditë, ndërsa të shtruar rreth 40-50 pacientë”.

Kryeministri vizitoi mjediset e veçanta për trajtime dhe faza të ndryshme mjekimi, ku çdo gjë është e parashikuar deri në detaje, për një shërbim sa më cilësor.

“Kjo është zona e sëmundjeve infektive, nuk futemi dot atje. Janë të pavarura komplet. Aty është dentistria, kemi edhe grafitë dentare. Këtu është dhoma e grafisë, fotografia është digjitale. Këtej është gjithë trajtimi i qenve. Çdo pacient ka dosjen e vet. Ka një kod që është unik për çdo pacient, klikon në sistem, del emri, mbiemri, raca, e të tjera me radhë dhe gjithë trajtimi, me orare është 24 orë. Këtej janë pjesa që krenohemi më shumë, janë dhomat e operacioneve. Salla poshtë quhet dirty surgery, pra plagë të infektuara, kur kafsha vjen e infektuar. Këtu bëhet përgatitja e pacientit, qethet, pastrohet, dezinfektohet. Këtu janë dy sallat e operimit, salla është standardi më i lartë, këtu mund të bësh operacione pa përdorur antibiotikë fare. Edhe veshja e murit, filtrat, totalisht çdo gjë është sterile”, tregoi një nga pjesëtarët e stafit, teksa theksoi se në spital ushtrojnë profesionin e tyre 54 mjekë.

“Në ambientet e spitalit janë edhe mjediset për blerjen e ushqimeve, të veshjeve, trajtimit estetik, etj., si dhe mjedise të dedikuara për shoqërimin e kafshëve nga të zotët e tyre.
Kjo është zona për të blerë ushqime, aksesorë, rroba, manikyr, pedikyr, parfum, estetika. Për njerëzit kemi dhe turizëm veterinar, që pasi i operojnë rrinë gjithë natën këtu. Merr mjekimet qeni dhe mund të rrijë dhe i zoti me qenin”, u shpreh një nga punonjësit e personelit.

Rama e cilësoi këtë spital si “një kryevepër humanizmi, sipërmarrjeje rinore dhe arkitekture”.

“Ky realitet është aq mbresëlënës, sa ia vlen të vizitohet edhe si një muze i gjallë i kujdesit për kafshët”, nënvizoi Rama.

“Është realisht një destinacion shumë prekës edhe shumë frymëzues. Është një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor. Është një destinacion pa diskutim arkitekture dhe në fund fare, por jo për nga rëndësia, është një destinacion sipërmarrjeje dhe optimizmi për jetën dhe për të ardhmen”, tha Rama.

“Mund të bëhet një film i tërë për këtë sipërmarrje, për këta katër djem që pata privilegjin t’i njoh vetëm pak më parë, por të cilëve i kam admiruar punën, edhe ambicien, edhe shijen që sigurisht që është meritë e arkitektit, Davides, por patjetër arkitektët janë të mirë, aq sa klientët e tyre. Dhe nëse klientët nuk janë të mirë, arkitektët sado të mirë të jenë e kanë të vështirë që të bëjnë gjëra të bukura”, theksoi Rama.

Rama shtoi se, “është shumë prekëse dhe është shumë emocionuese të shikosh gjithë rrugëtimin e brendshëm dhe gjithë itinerarin e përkujdesjes për këto kafshë, dhe patjetër, është dhe krenari e madhe të mendosh që ky spital veterinar gjendet në Shqipëri”.

Kryeministri u shpreh i bindur se, “kush e sheh në fotografi e ka të vështirë ta besojë se gjendet në Shqipëri”, por shtoi ai, “nga ana tjetër jam po kaq i bindur që nuk është rastësisht në Shqipëri dhe rastësisht në Tiranë ky spital veterinar, që çunat më thanë është më i madhi në Ballkan, por unë besoj që duhet të jetë ndër më të bukurit në botë për këtë shërbim”.

Rama i përgëzoi dhe falënderoi sipërmarrësit, “për shembullin frymëzues për të gjithë ata që nëse duan arsye për të besuar tek Shqipëria, nëse duan arsye për të besuar tek vetja, nëse duan arsye për të besuar tek e nesërmja këtu mund të gjejnë të gjitha arsyet”.

Kryeministri shprehu edhe mirënjohjen për kontributin, që theksoi ai, “shkon shumë përtej kafshëve, qenve, maceve dhe familjarëve të tyre që është një kontribut për shoqërinë, është një kontribut për qytetin, kryeqytetin, është një kontribut për brezat që vijnë”.

Vet Hospital Tirana është hapur 24 orë në 7 ditë, duke ofruar trajtim të specializuar dhe një mjedis miqësor me kafshët.

Spitali ofron një gamë të gjerë shërbimesh dhe ka në përdorim pajisje dhe teknologji të avancuara për diagnostikimin e shëndetit të kafshëve, ndërsa angazhon edhe profesionistë të huaj për ekspertizë më bashkëkohore në këtë fushë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More