Në Akademinë e FC Shkupit janë të zhgënjyer me qasjen e seleksionuesve të kombëtareve të moshave në Maqedoni. Klubi shpreh habinë që asnjë lojtar nga shkolla e tij e futbollit nuk është ftuar në grumbullimet e fundit të përfaqësueseve U17, U18 dhe U19, pavarësisht rezultateve të mira dhe punës së vazhdueshme që bëhet çdo ditë.
“Është për t’u habitur fakti që asnjë lojtar nga akademia jonë nuk është përfshirë në listat e kombëtareve të moshave. Në ekipin e parë të Shkupit shihet qartë cilësia dhe përkushtimi që ekziston në çdo nivel të klubit, ndërkohë që ndryshimet e shpeshta të seleksionuesve po ndikojnë negativisht në vazhdimësinë e përzgjedhjes,” – thuhet në reagimin e Akademisë.