Shkup, 13 nëntor – Ish-kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti, ka reaguar pasi sot Policia Financiare njoftoi se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tij dhe disa personave tjerë ish-zyrtarë në Komunën e Sarajit.
Bexheti thotë se “nuk frikësohet” dhe kallëzimin penal e quan konstruksion politik, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Mos mendoni se me këto “operacione”, konstrukcione politike, kallëzime të fabrikuara apo tentativa për shantazh mund të më ktheni pas, të më trembni apo të më detyroni të devijoj nga qëndrimet e mia politike. Kjo qeveri, e udhëhequr nga struktura antishqiptare dhe vazale, gabon rëndë nëse mendon se mund të heshtë zërin tim dhe të më frikësojë. Kam kaluar presione politike shumë më të mëdha se kaq. Nuk jam tërhequr atëherë dhe nuk do të tërhiqem as sot”.
“Kallëzimet e porositura nuk më ndikojnë. Përkundrazi, më japin edhe më shumë arsye të qëndroj në krah të qytetarëve dhe të luftoj për llogaridhënie, drejtësi dhe demokraci. Unë nuk frikësohem. E vërteta nuk mbyllet me kallëzime politike”, ka shkruar Bexheti.
Ndryshe, nga Policia Financiare njoftojnë se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj tetë personave, ish-funksionarë dhe punonjës të Komunës së Sarajit dhe Qytetit të Shkupit, si dhe ndaj një inxhinier mbikëqyrës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimin zyrtar, moskujdesit në punë dhe për falsifikimit ose shkatërrimit të librave zyrtarë.
