Reforma Zgjedhore dhe ajo Territoriale, Berisha: Nuk shkojmë në komision pa pjesëmarrjen e ODIHR-it

nga D. V.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar tha se PD nuk do të marrë pjesë në asnjë komision pa pjesëmarrjen e ODIHR dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale.

Duke iu referuar ngritjes së dy komisioneve të posaçme për realizimin e Reformës Zgjedhore si dhe për Reformën Administrativo–Territoriale, Berisha tha se duhet të marrin ekspertë ndërkombëtarë.

“Të marrim ODIHR-in, të marrim specialistë nga Venecia, se edhe ata kanë specialistë të klasit të parë edhe në të drejtën elektorale”, tha Berisha.

Sipas Berishës qeveria “nuk ka interes reformash, por si e si të shkatërrojë çdo gjë që është, në mënyrë që të qëndrojnë në pushtet”.

I ndalur tek sistemi i drejtësisë, Berisha deklaroi se KLGJ dhe KLP nuk bëjnë emërimet sepse po presin “patronazhistët”.

“80 për qind e prokurorive dhe gjykatave nuk kanë kryetar. Shikoni korporatat e turpit. KLGJ dhe KLP, qeveritë kushtetuese të tyre, nuk emërojnë kryetarët. Po a e dini pse? Motivet janë ultrakorruptive. Ato ruhen të gjitha për patronazhistët, të cilët nuk kanë bërë 8 vite në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Berisha.

“Si mundesh ti t’i lësh gjykatat dhe prokuroritë pa drejtues? Ato janë të shtetit, nuk janë as të KLGJ dhe të KLP. Ato janë institucione themelore të një shteti. Por korporata i konsideron si pronësi të vetën dhe zbaton urdhra”, tha Berisha.

Ndër të tjera Berisha tha se drejtësia duhet reformuar vetëm nga Komisioni i Venecias.

“Vetëm nga Komisioni i Venecias në bashkëpunim me një reformë të vërtetë, absolutisht kurrë asnjë nen, asnjë fjalë, asnjë gërmë e Fatmir Xhafës”, tha Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More