Tetovë, 13 nëntor – Me ndarjen e certifikatës për kryetar komune dhe zgjedhjen e kryetarit të Këshillit, sot përfundoi formimi i vetëqeverisjes lokale për Komunën e Bërvenicës. Pas dy rretheve zgjedhore dhe afateve për ankesa dhe kundërshtime të paraqitura, Komisioni Zgjedhor Komunal i Bërvenicës ia ndau certifikatën për kryetar të zgjedhur Jovica Ilievskit.
Me këtë, Ilievski vazhdon punën e tij si kryetar komune që nga sot në kuadër të mandatit të tij të dytë.
“Do të vazhdojmë të punojmë, me forca të përbashkëta, pa përçarje dhe pa paragjykime, me të njëjtin ritëm si në mandatin e parë, ashtu edhe në të dytin. Kemi projekte të filluara në mandatin e dytë, mendoj se do t’i përfundojmë. Komuna e Bërvenicës do të dëshmojë se është një komunë e përbashkët për maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët. Pa përçarje, pa paragjykime, do të vazhdojmë edhe në mandatin e dytë”, tha Ilievski pas ndarjes së certifikatës.
KZK-ja e Bërvenicës ndau certifikatat për 15 këshilltarët e zgjedhur të Këshillit më 10 nëntor, pas së cilës u mbajt një seancë konstituive, por pika për zgjedhjen e kryetarit u shty për seancën e dytë të sotme.
Me tetë vota “pro”, kryetar i Këshillit u zgjodh Robert Milloshevski, i cili ishte bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë nga VMRO-DPMNE, parti nga e cila vjen edhe kryetari i komunës.
Për të votuan gjashtë këshilltarë të VMRO-DPMNE-së dhe dy nga koalicioni i LSDM-së. Shtatë këshilltarët tjerë, katër nga Koalicioni VLEN dhe tre nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ishin të abstenuar.
