Në Qendrën e Konsultave Ambulatore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” çdo ditë pacientët drejtohen për t’u konsultuar me mjekët specialistë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se çdo vit në këtë qendër ambulatore marrin shërbim rreth 70,000 pacientë, sipas sistemit të referimit.
Sipas MSHMS, në Qendrën e Konsultave Ambulatore në QSUNT pacientët kryejnë konsultat për sëmundje të brendshme dhe kirurgjikale, ekzaminimet laboratorike dhe imazheri, përfshirë eko kardiake dhe prova ushtrimore.
Në këtë qendër ofrohen çdo ditë shërbime të specializuara mjekësore për pacientët, sipas sistemit të referimit, duke garantuar kujdes shëndetësor cilësor dhe të aksesueshëm për çdo pacient.
Për të rezervuar konsultën pacientët duhet që nëpërmjet sistemit e-referim, në zbatim të paraqiten fillimisht tek mjeku i familjes në qendrën e tyre shëndetësore, i cili sipas vlerësimit të tij mjekësor i orienton ose jo tek mjeku specialist. Mjeku specialist, sipas vlerësimit të tij mjekësor i pajis pacientët ose jo me rekomandimin për të kryer konsultë të specializuar pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore në QSUNT. Në rast se mjeku i familjes apo mjeku specialist nuk vlerëson nevojën për konsultë të specializuar, ky i fundit nuk lëshon rekomandim për konsultë në QSUNT.
Pacientët mund të paraqiten në zyrën e informacionit pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore. Kjo mënyrë rekomandohet për marrjen e shërbimit për pacientët kronikë, të cilët në përfundim të konsultës me mjekun specialist të QSUNT, mund të rezervojë konsultën pasardhëse në zyrën e informacionit; që ndodhet në katin e parë të Qendrës së Konsultave Ambulatore.
