Shkup, 10 tetor – Në zemrën e Shkupit përtej zhurmës së ndërtimeve moderne dhe ritmit të shpejtë të jetës urbane qëndron një hapësirë që ruan shpirtin e qytetit Çarshia e Vjetër. Ky mozaik historik i tregtisë, kulturës dhe bashkëjetesës ndërshekullore, është një nga pasuritë më të çmuara jo vetëm të Komunës së Çairit, por të gjithë Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, pyetja thelbësore që ngrihet sot është a po shfrytëzohet plotësisht potenciali turistik dhe ekonomik i Çarshisë? shkruan Zhurnal.
Një trashëgimi që jeton mes mungesës së investimeve dhe dashurisë qytetare
Për dekada Çarshia ka mbijetuar falë dashurisë së artizanëve dhe qytetarëve, më shumë sesa falë planeve të qëndrueshme institucionale. Ndërsa çdo turist që shkel kalldrëmet e saj mahnitet nga aroma e historisë, mungesa e infrastrukturës moderne, pastrimit, ndriçimit adekuat dhe promovimit ndërkombëtar e kanë penguar që ajo të shndërrohet në një atraksion të mirëfilltë evropian.
Potenciali është aty qindra objekte historike, zanate tradicionale, gastronomi unike dhe një atmosferë autentike që nuk mund të riprodhohet. Por mungesa e menaxhimit të integruar dhe e investimeve strategjike e ka mbajtur Çarshinë në gjysmërrugë midis së kaluarës së lavdishme dhe së tashmes së nënshfrytëzuar.
Izet Mexhiti me plan konkret nga ruajtja në rilindje –
Në këtë kontekst, programi i kandidatit për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, vjen si një përpjekje për t’i dhënë fund status quo-së. Duke e quajtur Çarshinë “shpirtin e Shkupit dhe zemrën e Çairit”, Mexhiti synon që ajo të mos jetë më vetëm një muze i gjallë i historisë, por një motor i gjallë i ekonomisë dhe turizmit.
Programi i tij bazohet në pesë shtylla të qarta:
- Rikthimi i autenticitetit përmes restaurimit të rrugëve dhe fasadave,
- Transformimi digjital përmes guidave interaktive dhe aplikacioneve moderne,
- Rritja e standardeve të shërbimit turistik,
- Mbrojtja e monumenteve historike,
- Dhe një investim kapital – ndërtimi i një parkingu nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu”, që do të lehtësojë qasjen dhe do të lidhë qytetin me Çarshinë.
Në thelb, ky është një projekt që synon të ndërthurë traditën me teknologjinë, duke e kthyer Çarshinë në një destinacion të gjallë, ku historia takohet me inovacionin.
Megjithatë, historia e projekteve publike në Shkup tregon se midis vizionit dhe zbatimit shpesh ekziston një hendek i madh. Pyetja që mbetet është nëse ky plan do të mund të realizohet në praktikë me transparencë, profesionalizëm dhe përfshirje të komunitetit të esnafëve, pa e deformuar karakterin autentik të Çarshisë. Restaurimi i saj nuk mund të reduktohet në fasada të lyera apo ndriçim estetik – ai kërkon plan urban të qëndrueshëm, strategji turizmi të integruar dhe mbi të gjitha, ruajtje të shpirtit të vendit që është ndërtuar mbi artizanatin, mikpritjen dhe bashkëjetesën kulturore.
Çarshia si identitet jo vetëm si atraksion –
Vizioni i rilindjes së Çarshisë duhet parë jo thjesht si projekt elektoral apo si investim ekonomik, por si një akt identitar dhe kulturor. Çarshia është vendi ku bashkëjetojnë tempuj, tradita dhe tregti ajo është dëshmi e historisë shumëkulturore të Shkupit dhe një pasuri që mund ta forcojë imazhin e qytetit në rajon e më gjerë.
Nëse projekti i Mexhitit arrin të ruajë këtë frymë dhe ta pasurojë me dimensione bashkëkohore të turizmit, atëherë Çarshia mund të bëhet vërtet “zemra e gjallë e Çairit” jo vetëm për vizitorët, por për të gjithë qytetarët që duan ta jetojnë dhe ta ruajnë historinë e tyre. /Zhurnal.mk