Për herë të parë, një sipërmarrës nga Ballkani Perëndimor është përfshirë në listën prestigjioze të njerëzve më të pasur në botë, të publikuar nga revista Forbes.
Samir Mane, themelues dhe president i Grupit BALFIN, renditet në vendin e 2.356-të në botë, me një pasuri të vlerësuar prej 1.4 miliardë dollarësh amerikanë. Kjo përfaqëson vlerësimin më të lartë të pasurisë që i është dhënë ndonjëherë një sipërmarrësi nga rajoni nga botimi prestigjioz ekonomik që ka publikuar listën që nga viti 1987.
“Në një pjesë tjetër të Evropës, Shqipëria këtë vit ka miliarderin e saj të parë – Samir Mane, i cili ka ndërtuar një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh përmes investimeve në qendra tregtare, dyqane elektronike dhe prona luksoze në të gjithë Ballkanin,” shkruan Forbes.
Mane e nisi rrugëtimin e tij sipërmarrës në vitin 1993, duke themeluar Grupin BALFIN, që më vonë u shndërrua në një nga grupet investuese më të mëdha dhe më dinamike në rajon. Sot, grupi është i pranishëm jo vetëm në Ballkan, por edhe në tregjet ndërkombëtare, me investime të rëndësishme në Austri, SHBA dhe Kanada.
Kompanitë e Grupit BALFIN në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut, Grupi BALFIN ka një prani të fortë dhe të larmishme përmes disa kompanive dhe investimeve kyçe:
- Neptun – rrjeti lider për shitjen e elektronikës dhe pajisjeve të bardha.
- East Gate Mall – qendra më moderne tregtare dhe e stilit të jetesës në Shkup, simbol i transformimit urban.
- Skopje East Gate (SEG) – një projekt madhor me përdorim të përzier që përfshin hapësira banimi, biznesi dhe komerciale.
Këto investime jo vetëm që krijojnë vende pune dhe sjellin standarde globale, por kontribuojnë ndjeshëm edhe në modernizimin dhe zhvillimin e tregut maqedonas.
Sipas Forbes, sot në botë ka mbi 3.000 miliarderë me një pasuri të kombinuar prej 16.1 trilionë dollarësh – vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Vetëm tre shtete përbëjnë më shumë se gjysmën e këtij numri: SHBA (813), Kina (450) dhe India (205). Në Evropë, Gjermania kryeson me 171 miliarderë.
Përfshirja e Samir Manes në listën e Forbes nuk përfaqëson vetëm një sukses personal, por edhe një simbol të fuqisë dhe potencialit në rritje ekonomik të rajonit. Historia e tij është një dëshmi se me vizion, përkushtim dhe besim në Ballkan – mund të ndërtohet një sukses me përmasa globale.