Sejko: Perspektiva ekonomike pozitive, nevojë për reforma strukturore

nga D. V.

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit të saj në horizontin afatmesëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të raportit vjetor të Bankës për vitin 2024 në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të Kuvendit, theksoi se rritja e qëndrueshme ekonomike do të krijojë premisa për përmirësimin e tregut të punës, rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Ai nënvizoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për transparencë dhe llogaridhënie, duke pasur parasysh sfidat që kanë përballuar ekonomia dhe financat, si dhe objektivat për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbështetjen e zhvillimit të tregjeve financiare.

Sipas guvernatorit, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë vitit 2024, falë zgjerimit të konsumit familjar, rritjes së investimeve private dhe të ardhurave nga turizmi, të cilat kanë mbajtur ritmin pozitiv të zhvillimit edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, me një rritje prej 3,6%.

“Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë vitit 2024, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe nga rritja e mëtejshme e të ardhurave të turizmit. Kahu pozitiv i zhvillimit të ekonomisë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025, me një rritje ekonomike prej 3,6% për gjashtëmujorin e parë të vitit. Kjo ecuri pasqyron kontributin e disa faktorëve, ndër të cilët gjej me vend të nënvizoj gjendjen e mirë financiare të sektorit privat, klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit”, deklaroi Sejko.

Megjithatë, theksoi ai, kërkesa e lartë e brendshme ka sjellë rritjen e importeve, ndërsa eksportet janë përballur me vështirësi për shkak të rënies së çmimeve dhe ngadalësimit të tregtisë botërore, si dhe problemeve specifike në disa sektorë dhe rritjes së kostove të prodhimit.

Sejko vuri në dukje se rritja ekonomike ka qenë kryesisht e përqendruar në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit, ndërsa tregu i punës është përballur me kërkesë të lartë për punë, çka ka sjellë rritje të numrit të të punësuarve dhe rënie të normës së papunësisë në nivele historike.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, të punësuarit në sektorin privat jobujqësor u rritën me 3,4% në vitin 2024 dhe 4,3% në gjashtëmujorin e parë të 2025, ndërsa papunësia ra në 8,8% në 2024 dhe në 8,5% në tremujorin e dytë të 2025.

Kjo kërkesë e lartë për fuqi punëtore dhe mungesa e saj, shtoi Sejko, kanë kontribuar në rritjen e pagave me 8,6% në vitin 2024 dhe 9,5% në gjysmën e parë të 2025.

Paralelisht me zhvillimet pozitive, Sejko informoi se inflacioni ka shënuar rënie, duke zbritur nga 4,8% në 2023 në rreth 2,2% për vitin 2024 dhe tremujorët e parë të 2025. Eksportet totale arritën vlerën 9,1 miliardë euro në 2024, me një rritje prej 11% krahasuar me vitin paraprak, të nxitura kryesisht nga të ardhurat nga turizmi që kapën 5 miliardë euro. Po ashtu, remitancat dhe investimet e huaja direkte kanë vijuar të rriten gjatë gjysmës së parë të 2025-ës, duke arritur përkatësisht 1 miliard euro dhe 1,6 miliardë euro.

Guvernatori vuri në dukje edhe përmirësimin e pozicionit të jashtëm të vendit, me borxhin e jashtëm që ra në 40,5% të PBB-së në tremujorin e dytë të 2025-s, nga 46,2% në fund të vitit 2023, dhe rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë që janë afruar në nivelin e 7 miliardë eurove, duke rritur sigurinë për investitorët e huaj.

Banka e Shqipërisë, theksoi më tej Sejko, ka ulur dy herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2024 dhe në korrik 2025, ndërsa ka intensifikuar blerjet e valutës në tregun vendas për të kontrolluar forcimin e kursit të lekut dhe për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar.  Këto masa, sipas tij, kanë sjellë përmirësim të kushteve të financimit për familjet dhe bizneset, duke ndikuar në rritjen e kreditimit për sektorin privat, i cili shënoi një rritje vjetore prej 15,7% në fund të 2024 dhe 14% në tremujorin e tretë të vitit aktual.

“Ne ndërmorëm dy ulje të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë nga niveli 3,25% në fillim të vitit, në 2,75% në fund të vitit 2024 dhe në 2,5% në muajin korrik 2025. Paralelisht me të, ne intensifikuam blerjet e valutës në tregun vendas, duke tërhequr thuajse 914 milionë euro prej tij gjatë vitit 2024 dhe duke vijuar me ritme të ngjashme edhe gjatë vitit 2025. Rritja e prezencës tonë në tregun valutor synon frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit të Lekut, qetësimin e tregut valutor, si dhe minimizimin e pasojave potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në rast krijimi të pozicioneve spekulative të kursit”, deklaroi Sejko.

Sektori bankar, vijoi Sejko, u shfaq gjithashtu në formë të mirë, me rritje të aktivitetit bankar, zgjerim të depozitave dhe përmirësim të treguesve të shëndetit financiar. Sipas tij, kapitalizimi arriti nivele të larta rreth 20%, likuiditeti mbeti mbi kërkesat rregullatore, ndërsa cilësia e kredisë përmirësohej duke ulur kredinë me probleme në nivelin më të ulët që nga viti 2008.

“Cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 4%, duke shënuar nivelet më të ulëta që prej vitit 2008. Paralelisht me të, analizat tona periodike sugjerojnë nivele të kontrolluara të rreziqeve sistemike dhe testet e rezistencës së sistemit bankar tregojnë një aftësi të mirë përballimi të goditjeve të mundshme makrofinanciare”, deklaroi Sejko.

Një tjetër arritje e rëndësishme është nisja e operimit në skemat SEPA, që lehtëson pagesat ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera anëtare të kësaj zone, me të njëjtat kushte dhe komisione si brenda vendit.

Sipas Sejkos, kjo pritet të sjellë kursime të konsiderueshme për ekonominë shqiptare. Po ashtu, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë ka kursyer rreth 140 milionë euro që nga nisja e tij në janar 2022.

Guvernatori Sejko nënvizoi se perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive, me pritshmërinë që rritja e qëndrueshme të sjellë përmirësim të punësimit, pagave dhe mirëqenies, si dhe inflacion të ulët dhe konsolidim të ekuilibrave makroekonomikë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se rreziqet ekzistojnë, duke përmendur tensionet gjeopolitike dhe sfidat strukturore që kërkojnë reforma të mëtejshme në fusha si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, klima e biznesit dhe investimet strategjike.

Procesi i integrimit evropian, sipas tij, mbetet një udhërrëfyes i rëndësishëm për agjendën e reformave, duke ofruar një mundësi historike për rritjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More