Nga Lutfi Dervishi
Bota po ndryshon me shpejtësi të paprecedentë. Çdo ditë ka një lajm të madh dhe tronditës. Lufta në Ukrainë po hyn në vitin e pestë. Aleancat po lëkunden, dhe fuqi të mëdha po flasin gjithnjë e më pak për vlera dhe gjithnjë e më shumë për interesa. Rendi që njohëm pas Luftës së Dytë Botërore, dhe sidomos periudha (fatlume për shqiptarët) pas rënies së murit të Berlinit tashmë i përket historisë. Arkitekti i këtij rendi është sot kritiku më i rreptë i veprës që vetë ka ndërtuar.
SHBA, krijuesja kryesore e rendit pasluftës, sot shfaqet e pakënaqur me produktin e vet. Doktrina “America First”, e artikuluar qartë nga Presidenti Donald Trump, nuk është slogan elektoral, ajo e sheh globalizmin si humbje për interesin amerikan, Bashkimin Evropian si dështim në politikat e migracionit dhe NATO-n si një barrë të pabarabartë financiare. Kur aleatët kërcënohen me tarifa, kur pakënaqësia ndaj NATO-s vjen nga anëtari kryesor, dhe kur pretendimet territoriale vendosen në tavolinë, ajo që dje ishte e pamendueshme sot është e pashmangshme.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë një borxh ekzistencial ndaj SHBA. Nga presidenti Wilson, (1919) që mbrojti shqiptarët në Konferencën e Paqes, te Bill Clinton (1999) për ndërhyrjen në Kosovë, e deri te George W. Bush (2008) për mbështetjen vendimtare për anëtarësimin në NATO. Kjo lidhje e ushqyer edhe nga gjysëm milioni shqiptarë që sot janë qytetarë amerikanë, është sa emocionale aq edhe strategjike.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria është në rrugën e anëtarësimit në BE. Integrimi Euro- atlantik është projekti strategjik i dekadave të fundit. Anëtarësimi në familjen e BE nuk do të thotë thjesht më shumë fonde, por më shumë rregulla, institucione dhe stabilitet. Afro 2 milionë shqiptarë janë qytetarë të një prej vendeve të BE -së.
Dje, në Davos, Mark Carney i Kanadasë duke iu referuar esesë së Vaclav Havel (Fuqia e të pafuqishmëve) përdori metaforën e “vitrinës”, parullave që i mbajmë për t’u dukur korrektë, ndërsa realiteti pas xhamit është shumë më brutal. Te eseja e Havelit shitësi i perimeve që kishte vendosur në xham tabelën “proletare të të gjithë vendeve bashkohuni”, nuk besonte te komunizmi, por nuk donte të kishte telashe.
A ka ardhur koha të pyesim nëse tabela “integrimi euroatlantik”, në vitrinën tonë po shërben si kamuflazh për një dyqan që zbrazet dita-ditës.
Në një botë ku fuqitë e mëdha nuk kanë nevojë të ngrënë zërin për të diktuar, vendet e vogla kanë dy zgjedhje, ose bëhen shumë të zëshme dhe rrezikojnë të injorohen, ose bëhen mençurisht të heshtura dhe shohin “punën e vet” “kokëulur”. Shqipëria nuk ka as peshë për të ndryshuar fatet e globit apo rrjedhën e ngjarjeve, por ka detyrimin të luajë seriozisht për veten.

