Shkup, 19 shtator – Së fundmi në opinion po përflitet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të publikojnë një listë të re me emrat të cilët do të futen në të ashtuquajturën “lista e zeze amerikane”. Edhe pse nuk ka dalë asnjë emër, megjithatë në këtë listë mund të parashikohet se kush mund të jetë, duke e pasur parasysh se cilat janë kriteret që duhet të plotësohen që dikush të futet në këtë listë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Lista e zezë amerikane (e njohur edhe si lista e personave të sanksionuar) është një grup emrash të individëve, organizatave ose entiteteve që Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar ose kufizuar për shkak të veprimtarive të tyre të jashtëligjshme ose të dëmshme. Këto aktivitete mund të përfshijnë korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut, terrorizëm, trafik droge ose armësh, krime kibernetike dhe përfshirje në aktivitete që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Personave ose entiteteve që janë pjesë e kësaj liste u ndalohet përdorimi i sistemit financiar amerikan, kryerja e transaksioneve në dollarë ose bashkëpunimi me kompani amerikane. Atyre gjithashtu u ndaohet hyrja në SHBA, ndërsa bizneset dhe individët amerikanë nuk mund të bashkëpunojnë me këta persona.
Kjo listë është një mjet presioni që SHBA përdor për të promovuar sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe stabilitetin global.
Deri në vitin 2024, 13 qytetarë nga Maqedonia e Veriut janë shtuar në listën e zezë të SHBA-së. Ajo përfshin politikanë, ish-kryeministra dhe ministra, kryetarë bashkish, gjyqtarë… kryesisht për shkak të përfshirjes në korrupsion ose abuzim me pushtetin për përfitime personale. Duket se sanksionet e SHBA-së për shumicën e tyre nuk kanë efekt negativ në vend.
Por kjo listë mbetet e hapur për emra të rinj dhe shumë shpejt priten që të publikohen emra të cilët kanë dëmtuar marrëdhëniet me SHBA dhe janë në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës.
Deri më tani edhe pse për shumë qytetarë SHBA-të kanë thënë se kanë argumente të padiskutueshme se ata janë të përfshirë në korrupsion, për gjykatat dhe prokuroret e Maqedonisë së Veriut kjo s’bën aspak përshtypje, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kur SHBA-të e fusin një person në “listën e zezë” ata japin arsye përse ai person është konstatuar si i tillë. Edhe pse për shumicën e tyre kanë thënë se ata janë të dyshuar për korrupsion, thuajse asnjëri prej tyre në vend nuk ka shkuar në burg.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Megjithatë pak para formimit të lëndës, Grubi dhe Bajrami ishin larguar nga shtetit dhe mbeten ende të pakapshëm për organet e rendit të Maqedonisë së Veriut.
Me rëndësi është që organet shtetërore në këtë vend, të mos presin kur do dalin “listat e zeza”, të cilët do të tregojnë se cilat persona janë të korruptuar, por t’i kapin e t’i arrestojnë vet. Ata e dinë shumë mirë se kush është i korruptuar dhe kush jo, prandaj në këtë drejtim është turp për një shtet që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian ose për një shtet që është anëtarë i NATO-s të pres që të tjerët t’i tregojën se çfarë bëhet brenda shtetit të tij, shkruan “Zhurnal.mk”.