Shkup, 15 tetor – Fushata zgjedhore po hyn në frymën e saj të fundit. Ditët para heshtjes elektorale janë ato më të ngarkuarat emocionalisht, por edhe më të sinqertat është momenti kur partitë nuk mund të fshihen më pas spoteve televizive apo premtimeve të përgjithshme përballen drejtpërdrejt me qytetarin, me terrenin, me realitetin. Pyetja është a ka rënë energjia e fushatës, apo ajo po arrin pikën e saj kulmore? shkruan Zhurnal.
Një fushatë që nuk po shuhet –
Në kundërshtim me perceptimin se fundi i fushatës shpesh sjell lodhje, këtë herë realiteti është ndryshe. Në terren shihet një intensifikim i aktiviteteve, veçanërisht nga dy aktorët politikë shqiptarë më të zëshëm në këtë garë koalicioni VLEN dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).
Takime me qytetarë, prezantime publike, konferenca për media dhe vizita shtëpi më shtëpi ritmi është i lartë, ndërsa mesazhi i përsëritur “ndryshimi fillon nga komuna”. Partitë duket se kanë kuptuar se fushata lokale nuk fitohet me slogane, por me kontakt të drejtpërdrejtë dhe premtime të prekshme.
VLEN ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm, duke kombinuar prezencën qeveritare me garën lokale. Kandidatët e saj shfaqen në çdo cep të vendit, duke vënë theksin te infrastruktura, shërbimet komunale dhe projektet konkrete. Nga ana tjetër, AKI po punon me një strategji më të fokusuar më shumë takime në zona me shumicë shqiptare, më pak spektakël mediatik, por më shumë kontakt njerëzor dhe komunikim për tema nacionale.
Energji politike por edhe kalkulim strategjik –
Në ditët e fundit të garës, nuk mungojnë edhe lëvizjet taktike. BDI, për shembull, ka vendosur të anulojë aktivitetet e saj përmbyllëse për të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në Tiranë. Një vendim që interpretohet si kalim nga mobilizimi elektoral në simbolizëm kombëtar pra, energjia ekziston, por kanalizohet ndryshe.
Ky zhvillim tregon një realitet interesant në këtë fushatë, partitë shqiptare nuk po konkurrojnë vetëm për vota, por edhe për pozicion moral dhe identitar në opinionin publik. Dhe kjo e mban tensionin politik të lartë deri në ditën e fundit.
Në këtë fazë, fokusi është zhvendosur qartë në çështje lokale dhe konkrete. Premtimet që përsëriten janë pothuaj identike. Të gjithë flasin për rrugë të rregulluara, ndriçim publik, menaxhim i mbetjeve, parkingje publike dhe shërbime më të mira komunale.
Në pamje të parë, duket rutinë. Por në fakt, pikërisht këto detaje janë “beteja reale” për votën aty ku qytetari mat aftësinë menaxheriale të kandidatëve. VLEN kërkon të përforcojë imazhin e koalicionit që mund të realizojë, duke u mbështetur në burimet qeveritare dhe administratën lokale. Ndërkohë, AKI kërkon të kapitalizojë pakënaqësinë e votuesve me premtime për qeverisje ndryshe dhe me komunikim më të afërt me komunitetin duke i quajtur këto zgjedhje si referendum.
Në pamje të parë nuk shihet lodhje as në tonin e fjalimeve as në praninë në terren. Por nën sipërfaqe, sfida e motivimit të elektoratit mbetet reale. Pas më shumë se një jave fushatë, disa qytetarë e shohin garën si përsëritje të modeleve të vjetra, pa ide të reja të mëdha.
Megjithatë, në krahasim me ciklet e kaluara, këtë herë ka më shumë disiplinë dhe plan konkret, sidomos te VLEN-i që synon të ruajë legjitimitetin e pushtetit lokal, dhe më shumë zë individual te AKI, që kërkon të shfaqet si alternativë reale, jo thjesht si opozitë morale. Në këtë kuptim, fushata nuk po shuhet, por po shndërrohet në një garë mes dy energjive ajo e pushtetit që kërkon konfirmim dhe ajo e ambicies që kërkon hapësirë. Kushdo që do ta kthejë këtë energji në besim real, do të jetë fituesi i heshtur i 19 tetorit./Zhurnal.mk
