Drejtoresha e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova, deklaroi sot se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian jo vetëm përmes financimeve, por edhe përmes asistencës teknike.
Deklarata u bë gjatë konferencës së zhvilluar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me rastin e prezantimit të Raportit të Tranzicionit të BERZH-it për vitin 2024–2025, “Navigating industrial policy”.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Solovova bëri të ditur se bordi i BERZH-it ka miratuar strategjinë e re 5-vjeçare për Shqipërinë, e cila ndërtohet mbi angazhimin shumëvjeçar të institucionit në vend.
“Bordi ynë miratoi strategjinë e re 5-vjeçare për Shqioërinë, e cila bazohet në angazhimin tonë në Shqipëri gjatë periudhës strategjike me afërsisht 900 milionë euro financime dhe asistencë teknike, dhe synon të mbështesë progresin e shpejtë të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, tha drejtuesja e BERZH-it në Shqipëri.
Sipas saj, strategjia është plotësisht e harmonizuar me objektivat globale të BERZH-it dhe është përshtatur me prioritetet dhe nevojat specifike të Shqipërisë.
Ndër prioritetet kryesore të strategjisë, Solovova tha se është përshpejtimi i tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër.
“BERZH do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në diversifikimin dhe zgjerimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, përmes asistencës në hartimin e politikave, financimit të kapaciteteve të reja dhe përmirësimit të rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes”, theksoi ajo.
Një tjetër fushë me rëndësi, sipas saj, është përmirësimi i efikasitetit energjetik në shërbimet publike dhe bashkiake, si dhe mbështetja për institucionet financiare partnere dhe klientët e sektorit privat në forcimin e kapaciteteve të tyre.
“Strategjia gjithashtu synon të ndihmojë sektorin privat shqiptar që të përgatitet për akses në tregun e përbashkët evropian. Kjo do të arrihet përmes rritjes së financimit direkt dhe indirekt, përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe integrimit të bizneseve shqiptare në zinxhirët globalë të vlerës. Financimi do të shoqërohet me asistencë teknike të shënjestruar për rritjen e produktivitetit dhe nxitjen e inovacionit”, delaroi Solovova.
Një tjetër element i rëndësishëm i strategjisë, vuri në dukje ajo, është përmirësimi i klimës së investimeve të huaja dhe modernizimi i infrastrukturës.
“BERZH do të vijojë të mbështesë ndërmarrjet shtetërore në përmirësimin e qeverisjes së tyre korporative dhe praktikave në fushën e mjedisit, shoqërisë dhe qeverisjes (ESG). Po ashtu, institucioni do të investojë në zhvillimin e infrastrukturës kyçe të lidhjes, duke ofruar edhe asistencë teknike”, siguroi Solovova.
Në përfundim, Solovova theksoi se e gjithë kjo mbështetje do të vijojë në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, institucionet e tjera financiare dhe donatorët ndërkombëtarë, për të maksimizuar ndikimin në dobi të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.
“Do të vijojmë të sigurojmë koordinim të ngushtë me institucione të tjera financiare, BE, partnerët të tjerë ndërkombëtarë dhe donatorë për të maksimizuar ndikimin në dobi të Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, deklaroi Solovova.
 
			        
 
			        