Sindikatа e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i është drejtuar me një kërkesë publike Presidentes së vendit, pas deklaratës së saj të sotme për gatishmërinë që të propozojë në Kuvend alokimin e buxhetit për RTK-në.
Në komunikatë, Sindikata kërkon ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e situatës së rënduar financiare në këtë institucion publik.
“RTK tash e disa javë ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre. Kjo gjendje po reflekton rëndë në jetën e qindra familjeve që varen nga ky institucion publik. Ndër ta, ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, që përballen me vështirësi për ushqim, qira e pagesa bazike, dhe që tashmë ndihen të harruar nga institucionet e vendit”, thuhet në reagimin e SPERTK-së.
Sipas Sindikatës, situata është bërë edhe më e rëndë pasi bankat kanë nisur të ushtrojnë presion ndaj punëtorëve për pagesën e kësteve të kredive, ndonëse ata nuk kanë marrë paga për disa javë.
“Ju lutemi që brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe politike të ndërhyni menjëherë për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e pavarur, që ka rëndësi jetike për informimin e qytetarëve dhe për demokracinë e vendit,” thuhet më tej në kërkesën e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.
