Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mirëpriti sot drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore pranë Komisionit Evropian, Valentina Superti, e cila ndodhet në Tiranë për Forumin e Investimeve BE – Ballkani Perëndimor që mbahet për herë të parë në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thekson se po “vijojmë intensivisht përmbushjen e detyrimeve për çeljen e kapitujve të fundit, negociatat për mbylljen e kapitujve të hapur, mbërritjen e standardeve për përfitimin e mbështetjes financiare të BE-së përmes Planit të ri të Rritjes, si mjet i integrimit dhe fuqizimit rajonal”.
Forumi i parë i Investimeve Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Europian, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Kryeministri Rama dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen do t’i drejtohen me një fjalë këtij forumi, i cili mbledh në Tiranë përfaqësues të lartë qeveritarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe vendimmarrës, institucione financiare ndërkombëtare, investitorë strategjikë dhe kompani lidere nga BE-ja dhe më gjerë.