Shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme evropiane po i japin përparësi sistemeve të inteligjencës artificiale mbi mjetet bazë digjitale në të gjitha bizneset e tyre, duke humbur terren ndaj firmave më të mëdha që investojnë në sisteme kryesore digjitale, tregoi një studim i ri. Ndërsa korporatat e mëdha po përvetësojnë vazhdimisht softuerin e inteligjencës artificiale dhe po rrisin investimet, bizneset e vogla në të gjithë Evropën shpesh nuk kanë ekspertizë dhe infrastrukturë digjitale përkatëse.
Kompanitë po i drejtohen kësaj teknologjie për të automatizuar detyrat dhe për të ulur kostot në të gjithë sektorin, duke rezultuar në shkurtime vendesh pune të cilat po trondisin industri të tëra. Anketa, e kryer nga kompania franceze e teknologjisë financiare Qonto, zbuloi se 46% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme evropiane përdorin mjete të inteligjencës artificiale si ChatGPT çdo ditë, por vetëm një pjesë e tyre zbatojnë kontabilitet digjital, video konferenca, analiza të të dhënave ose menaxhim digjital të dokumenteve.
Kjo mospërputhje po shkakton një paradoks të habitshëm që mund të kërcënojë të ardhmen e shtyllës kurrizore ekonomike të Evropës, thotë Qonto. Raporti u krye së bashku me firmën kërkimore Appinio pas intervistimit të 1,600 vendimmarrësve të lartë në Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë. Dy nga çdo pesë biznese ndihen të papërgatitura për transformimin digjital, duke përfaqësuar 10 milionë kompani në të gjithë Evropën, sipas raportit.
Gjermania dallohet me 76% të bizneseve që ndihen të përgatitura mirë, ndërsa Franca përballet me vështirësi me gati gjysmën që ndihen të pajisura në mënyrë të pamjaftueshme për ndryshimin digjital. “Ndërsa IA ofron mundësi emocionuese, ne besojmë se bizneset evropiane do të duhet të ndërtojnë themele të forta digjitale që mund të mbështesin qëllimet e tyre afatgjata të rritjes dhe inovacionit”-tha drejtori ekzekutiv i Qonto, Alexandre Prot.
Anketa sugjeron se ndërhyrjet e synuara mund të ndihmojnë në mbylljen e hendekut digjital të Evropës. Zvogëlimi i barrës rregullatore në Gjermani, adresimi i mungesës së aftësive në Spanjë dhe kapërcimi i rezistencës kulturore në Francë mund të forcojnë konkurrueshmërinë kundër rivalëve më të pajisur që përdorin gjithnjë e më shumë AI për të ulur kostot dhe për të përmirësuar operacionet.