Kuvendi ka bërë zyrtare, projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
16 anëtarë do të ketë në përbërje Komisioni i Posaçëm, ku PS ka 8 anëtarë, ndërsa 6 do të jenë nga PD-ja, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë.
Për çështje të veçanta për të cilat nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe mund të kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
PR/VENDIMI
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI PROJEKTVENDIM PËR NGRITJEN E KOMISIONIT TË POSAÇËM PËR REFORMËN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 77, pika 1, dhe 78, pika 1, të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 55, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
II. Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij:
a) shqyrtimin e kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore;
b) analizimin dhe propozimin e opsioneve për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;
c) analizimin e sistemit aktual të financave vendore dhe rekomandimin e masave për shëndoshjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë forcimin e decentralizimit fiskal, rritjen e të ardhurave vendore, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar;
ç) shqyrtimin e cilësisë dhe aksesit të shërbimeve publike vendore;
d) sigurimin e përputhshmërisë së propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe politikat e kohezionit rajonal;
dh) zhvillimin e një procesi konsultimi tërësor, gjithëpërfshirë dhe transparent me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë;
e) paraqitjen përpara Kuvendit të dokumentit analitik me rekomandime për hapat e mëtejshëm dhe projektpropozime ligjore.
III. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 16 anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të Komisionit do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
IV. Kryetari i Komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
2 V. Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 9-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit.
VI. Pranë Komisionit të Posaçëm ngrihet dhe funksionon grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, shoqatat e vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medies, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj., që do të mbështeten nga Sekretariati Teknik. Numri, afatet e punës dhe detyrat specifike të grupit të ekspertëve përcaktohen me vendim të Komisionit. VII. Komisioni i Posaçëm në veprimtarinë e tij do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, ministrin e Financave, ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe ministrin e Shtetit Kryenegociator, si dhe me përfaqësues të qeverisjes vendore dhe të shoqatave të zgjedhura vendore.
VIII. Çdo parti tjetër parlamentare, e cila nuk është e përfshirë në këtë komision, ka të drejtë të bëjë propozime.
IX. Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij të përcaktuar në pikën II të këtij vendimi, në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë:
• Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me:
i) institucionet e qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë; ii)institucionet e sistemit të drejtësisë;
iii) institucionet kushtetuese të pavarura dhe institucionet publike të krijuara nga Kuvendi.
iv) agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës;
v) ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse;
vi) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit;
vii) pedagogë e studentë;
viii) përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.;
• Mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme nga struktura të ndryshme shtetërore në funksion të përmbushjes së objektit të tij;
• Përfshirjen në këtë proces të opinionit publik dhe veçanërisht të pakicave kombëtare dhe përfaqësuesve të tyre.
X. Prezenca e Bashkimit Europian, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, me përvojë në çështjet e qeverisjes vendore, ftohen të ndjekin, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.
XI. Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni synon që vendimmarrja të arrihet me konsensus për të gjitha çështjet që shqyrton. Për çështje të veçanta për të cilat nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe mund të kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
3 XII. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës, mbështetjen financiare e logjistike të veprimtarisë së këtij Komisioni të Posaçëm, grupit të ekspertëve dhe sekretariatit teknik.
XIII. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYETARI Niko Peleshi
