Trupi i Aleksandar Karadakoskit, viktimës së 60-të nga zjarri në “Puls”, është sjellë në Maqedoni – varroset nesër në Koçan

nga D. V.

Shkup, 7 prill – Trupi i Aleksandar Karadakoskit, viktima e 60-të nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan, është transportuar dje nga Lituania në Maqedoninë e Veriut dhe më pas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Varrimi i Karadakoskit do të mbahet nesër (8 prill) në orën 14:00, ndërsa nga ora 12:00 trupi do të jetë i vendosur në kapelën e qytetit në Koçan.

Karadakoski, pas zjarrit në diskotekë, ishte dërguar për trajtim në Lituani. Autoritetet shëndetësore në Maqedoni konfirmuan se ai ishte pacienti më kritik, me rreth 35% djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në kokë, qafë dhe duar. Rrugët e frymëmarrjes ishin dëmtuar rëndë me djegie në rreth 90% të tyre.

Gjendja e tij u përkeqësua më 1 prill dhe ishte vendosur në dializë për shkak të dështimit të veshkave. Ai ndërroi jetë më 4 prill.

Për autoritetet hetimore, Karadakoski ishte një nga të dyshuarit për zjarrin në “Puls”. Sipas informacioneve nga Prokuroria, ai ishte menaxher i firmës “MMMM Cafe DOOEL Koçani” që menaxhonte diskotekën. Karadakoski në fakt ishte menaxher vetëm në letër dhe punonte në diskotekë.

Pas vdekjes së tij, Prokuroria informoi se, pas marrjes së dokumentacionit zyrtar për rrethanat e vdekjes, do të jepet urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj tij.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More