U promovua Shoqata për afirmimin e artit, kulturës dhe gruas “Gonxhet” në Shkup

nga Xh M

Më 11 qershor 2025, në ambientet e Teatrit Shqiptar në Shkup, u mbajt ceremonia promovuese e Shoqatës për afirmimin e artit, kulturës dhe gruas “Gonxhet”. Ky organizim madhështor mblodhi së bashku përfaqësues të botës së artit dhe kulturës, institucioneve publike, universiteteve, përfaqësive diplomatike, shoqërisë civile dhe medias, duke krijuar një atmosferë frymëzuese për qëllimet e larta që “Gonxhet” synon të realizojë në të ardhmen.

Me këtë rast, të pranishmit u përshëndetën nga kryetarja e Shoqatës “Gonxhet”, znj. Miranda Hashani, e cila prezantoi vizionin e shoqatës për fuqizimin e gruas përmes artit dhe kulturës, si dhe promovimin e vlerave artistike e shpirtërore të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Fjalime përshëndetëse mbajtën edhe znj. Linda Kusari Purrini, themeluese dhe drejtoreshë e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-RA” nga Kosova, gazetari dhe tekstshkruesi i njohur Avni Qahili, përfaqësuesja e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Valdeta Kasapi Hajdari, profesori universitar Prof. Dr. Veland Ramadani dhe artistja Edona Llalloshi, të cilët vlerësuan rëndësinë e themelimit të kësaj shoqate si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të gruas në jetën kulturore dhe shoqërore.

Programi artistik i kësaj mbrëmjeje ishte po aq i pasur sa edhe mesazhet që u përcollën. Publiku pati rastin të shijojë një monolog nga Elhame Bilalli, interpretim vokal dhe instrumental nga Dea Taipi (këngë dhe violinë), performancë në violinë nga Endrit Zajmi, krijim artistik nga piktorja Afërdita Kiki, si dhe një interpretim muzikor nga vetë znj. Miranda Hashani.

Themelues të Shoqatës për afirmimin e artit, kulturës dhe gruas “Gonxhet” janë Miranda Hashani – artiste, Valdeta Ismaili – aktore dhe gazetare, Sarah Hoxha – gazetare, Miranda Beqiri – juriste dhe aktiviste e shoqërisë civile dhe Leonat Qaili – muzicient dhe krijues i strategjive rinore.

Promovimi i Shoqatës “Gonxhet” u përjetua si një ngjarje e veçantë kulturore që vuri në pah potencialin e gruas shqiptare në art dhe kulturë, dhe u prit me interes e entuziazëm nga të gjithë të pranishmit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More