Shkup, 3 qershor – Universitet janë vende ku shkëmbehet dija dhe përvoja, kulti ndërtohet e praktika pasurohet me kuadro të rinj. Cilësia në Universitet përcaktohet edhe nga kuadri mësimdhënës, e këtë test shpesh herë UEJL e ka tejkaluar si rezultat i profesorëve profesionistë të fushave të ndryshme. E fundit që bëri bujë brenda vendit dhe në rajon ishte konferenca shkencore e organizuar nga Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit ku sipas dekanit të këtij Fakulteti prof.dr. Demush Bajrami qëllimi i kësaj konference ishte bashkëpunimi me studiues nga anë të shumta të botës për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe komunikimin, shkruan Zhurnal.
Konferencë shkencore për të ardhmen e gjuhëve –
Në organizim të Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, të premten në UEJL u mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, me temë: “Gjuhët, kulturat dhe komunikimi-e ardhmja e shkencave humane dhe sociale.”. Në konferencë, me punimet e tyre morën pjesë mbi 100 studiues dhe hulumtues nga vendi dhe rajoni.
Intenca, qëllimi i skajshëm i këtyre konferencave, është bashkëpunimi me të gjithë studiuesit gjithandej globit tha dekani me një deliktesë dhe profesionalizëm gjuhësor, prof.dr. Demush Bajrami.
“Kjo për më tepër e bënë të qartë vizionin e asaj se kah do të shkojnë gjuhët, si do të bashkohen dhe si do të bashkëjetojnë kulturat dhe gjërat në një të ardhme të afërt sidomos duke e parë këtë nga prizmi i teknologjive të reja nga prizmi i asaj që sot po kaplon gjithë botën e që njihet si intelegjenca artificiale. Konferenca ka për qëllim që të krijojë disa mekanizma mbrojtës nga i ashtuquajturi imperializëm kulturor që po ndodh në kohën e globalizimit në kohën e teknologjive”, tha profesori Demush Bajrami, dekan i FGJKK në UEJL.
Ndërkaq, profesoresha Merale Veseli, koordinatore e kësaj konference për media deklaroi që gjuha shqipe duhet të mbrohet nga çdonjëri pasi vetëm në këtë mënyrë mbrojmë identitetin tonë. “Gjuha shqipe duhet të mbrohet nga çdonjëri nga ne jo vetëm nga akademikët dhe profesorët e gjuhës shqipe por nga çdo njeri prej nesh sepse në atë mënyrë ne mbrojmë identitetin tonë, mbrojtja e gjuhës është mbrojtja e identitetit”, tha Merale Veseli, profesoreshë e gjuhës shqipe.
Kujtojmë që, konferenca u zhvillua në sesione plenare, ndërsa folës kryesor ishin: Aleksandra Green, Academic Director & Cambridge Examiner dhe Prof. Dr. Andrew Goodspeed, nga Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit. Megjithatë, mbajtja e kësaj konference tani më është bërë traditë dhe mbahet çdo dy vjet në të cilën marrin pjesë studijues nga vende të ndryshme ka mbi 80 studiues në të cilën flitet në katër gjuhë edhe atë në gjuhën Shqipe, gjuhën Maqedonase, gjuhën Angleze dhe gjuhen Gjermane.
Konferenca për gjuhën vjen në kohën kur gjuha e urrejtjes në vend është shqetësues –
Anketa e fundit e opinionit publik nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup, për Detektor, zbulon se 90% e qytetarëve maqedonas kanë vënë re përhapjen e gjuhës së urrejtjes në shoqërinë e tyre, kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe me motivacion politik. Një nga tre qytetarë beson se kjo gjuhë është inkurajuar nga bindjet politike, ndërsa një pjesë e vogël e kësaj gjuhe është e lidhur edhe me përkatësinë etnike, pamjen fizike, besimet fetare dhe moshën.
Një faktor i shqetësueshëm është rritja e gjuhës së urrejtjes në 5 vitet e fundit, sipas 64.2% të anketuarve. Përveç kësaj, afërsisht 80% e tyre vërejnë intensifikim të saj gjatë fushatave zgjedhore që janë mbajtur dy muaj më herët. Edhe pse të dy bashkësitë etnike, maqedonasit dhe shqiptarët, shqetësohen për këtë dukuri, ndarja e qëndrimeve midis tyre është e dukshme, me shqiptarët që kanë një ndjesi më të ulët të përkeqësimit të kësaj situata.
Rrjetet sociale identifikohen si mjeti kryesor për përhapjen e gjuhës së urrejtjes për 58.3% të anketuarve. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë përjetuar drejtpërdrejt këtë fenomen, duke theksuar që ka ende hapësirë për ndryshim dhe parandalim të saj.
Në lidhje me legjislacionin aktual, shqetësimet ndaj efikasitetit të tij ndaj gjuhës së urrejtjes janë të ndara midis qytetarëve, me një pjesë të madhe që kërkon ligje më të rrepta për parandalimin e saj, ndërsa një pjesë tjetër mendojnë se mund të keqpërdoren. Anketa është realizuar me 1078 të anketuar në mars të këtij viti.
Pra, edhe përkundër faktit që është traditë mbajtja e kësaj konference kjo lë gjurmë të dobishme edhe në shërbim të zbutjes së gjuhës së urrejtjes. E vet fakti që konferenca është realizuar në katër gjuhë është dëshmi dhe shtytje për respektim të gjuhëve tjera. E mes tjerash kjo konferencë është produktive në kohën e digjitalizimit të skajshëm ku gjuhët po cungohen me përdorim të termave të huaj në vend të atyre ekzistues. /Zhurnal.mk
