Veliaj: Këshilli Bashkiak të marrë mendimin tim para miratimit të buxhetit 2026

nga D. V.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i ka kërkuar Këshillit Bashkiak që të marrë mendimin e tij, përpara miratimit të buxhetit 2026.

Përmes një letre drejtuar Këshillit Bashkiak, Veliaj i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit shprehet se “miratimi pa konsultim me kryetarin e zgjedhur përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengim i realizimit të mandatit tim demokratik”.

Më datë 18 dhjetor, Këshilli Bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.

“Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik. Situata aktuale është veçanërisht shqetësuese. Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës”, shkruan Veliaj.

“Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës”, vijon letra.

Përmes letrës, Veliaj kërkon që “Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar; të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik, si edhe të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese”.

“Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe me parandalimin e një precedenti, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto, në aktin më politik të vitit, nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht. Një buxhet i miratuar në këto kushte, pavarësisht faktit se ekziston tashmë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për vijimin tim në detyrë, do pasqyronte objektivisht faktin se kryetari i zgjedhur i Bashkisë po pengohet në ushtrimin e mandatit të tij, me pasoja serioze jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes”, tha Veliaj.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, kërkuar nga SPAK.

Veliaj akuzohet në nëntë raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More