VLEN fitues në zgjedhje lokale por ende dobët në qeveri!

nga I.A

Shkup, 19 nëntor – Koalicioni VLEN hyri në skenën politike si një alternativë e re shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke marrë një mbështetje të fortë në zgjedhjet lokale dhe duke arritur të fitojë 10 komuna. Megjithatë, kontrasti midis rezultatit zgjedhor dhe performancës në qeveri është bërë tashmë i dukshëm. Ky hendek po vazhdon të thellohet për shkak të disa faktorëve politik të cilët pavarësisht entuziazmit fillestar po e ekspozojnë dobësinë e koalicionit në pushtetin ekzekutiv, shkruan Zhurnal.

Problemi fillestar rikonstruimi i qeverisë dhe emrat “e humbur” – 

Qeverisja është testi më i vështirë për çdo forcë politike, dhe VLEN po e ndjen këtë presion që në vitin e parë. Edhe pse pjesë e qeverisë së re koalicioni po has vështirësi të mëdha në përzgjedhjen e emrave për rikonstruimin e kabinetit. Kjo vonesë nuk është vetëm teknike ajo reflekton mungesë kohezioni të brendshëm, mungesë kadrosh të gatshëm dhe një konflikt të heshtur mes autoriteteve brenda koalicionit.

Është simptomatike për një subjekt të ri që ka fituar shpejt terren, por ende nuk ka arritur të ndërtojë kapacitet institucional për të qeverisur në mënyrë efektive. Për pasojë, roli i tyre në qeveri shpesh duket më shumë protokollar sesa real.

Fitorja në zgjedhje lokale dhe “kostoja” e mbështetjes nga VMRO – 

Suksesi i VLEN në zgjedhjet lokale nuk ishte vetëm rezultat i mobilizimit shqiptar një pjesë e rëndësishme e këtij rezultati erdhi falë mbështetjes indirekte por edhe direkte nga VMRO-DPMNE. Ishte një bashkërendim interesash VMRO kërkonte dobësimin e forcave rivale, ndërsa VLEN kërkonte të depërtonte më fuqishëm në skenën shqiptare.

Por ky sukses i përbashkët ka një pikëpyetje të madhe? A do të mund t’i ruajë VLEN këto vota në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kur elektorati shqiptar tradicionalisht votohet sipas përkatësisë etnike dhe jo sipas koalicioneve ndërpartiake?

Frika është se një pjesë e atij rezultati ishte i ndikuar nga situata politike e përkohshme dhe jo domosdoshmërisht nga fuqia reale e VLEN-it.

VRMO si “partner dominues” balanca e pushtetit që nuk lë hapësirë – 

Edhe pas hyrjes në qeveri, mbetet e qartë se VMRO mban “komandën” në çdo proces politik. Ky raport forcash bën që VLEN të jetë shpesh në pozitë të vartësisë të marrë vendime të parapërgatitura, të pranojë kuadro që nuk i kontrollon plotësisht dhe të ecë me një agjendë ku prioritetet shqiptare mbeten në hije. Dominanca e VMRO-së është e dukshme në kontrollin e narrativës publike, ritmin e reformave, vendimmarrjen ekonomike dhe administrative.

VLEN gjendet vazhdimisht në një pozitë ku duhet të justifikojë pse është pjesë e qeverisë, kur efekti i tyre real në vendimet ekzekutive duket minimal.

Rreziku potencial të mbetesh fitues lokal e humbës nacional – 

Nëse VLEN nuk arrin të ndërtojë një strukturë të qëndrueshme qeverisëse, rrezikon që fitorja lokale të shndërrohet në iluzion politik. Zgjedhjet lokale shpesh ndjekin logjikën e njerëzve dhe komuniteteve, por zgjedhjet parlamentare kërkojnë vizion, rezultate konkrete dhe ndonjëherë edhe konfrontim politik të cilin VLEN deri më tani nuk ka treguar se mund ta përballojë.

VLEN hyri në pushtet si një premtim për ndryshim dhe përfaqësim të ndershëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Por qeverisja kërkon më shumë sesa premtime kërkon ekspertizë, disiplinë, qëndrueshmëri dhe aftësi të qëndrosh i barabartë me partnerin e madh koalicionues.

Kujtojmë që, VLEN duhet të tregojë se është më shumë sesa një fenomen zgjedhor duhet të dëshmojë se është forcë e pavarur qeverisëse. Përndryshe, historia politike e rajonit ka treguar se dominanca e partive të mëdha gjithmonë gjen mënyra për ta neutralizuar ose zëvendësuar partnerin më të vogël. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More