VLEN me pushtet qendror e lokal nuk duhet të merret më me BDI-në, qytetarët presin vepra konkrete!

nga I.A

Shkup, 7 nëntor – Nuk kalon pothuajse asnjë ditë që koalicioni VLEN të mos dalë me ndonjë deklaratë, kumtesë apo prononcim në drejtim të BDI-së. Qoftë nga liderët kryesorë, nga zëdhënësit lokalë apo nga funksionarë të ndryshëm, narrativi publik i pushtetit aktual ende sillet rreth ish-partisë në pushtet. Por, koha e fushatës ka përfunduar. VLEN sot është pushtet jo vetëm në nivel qendror, por edhe në shumë komuna të vendit. Dhe kjo pozitë kërkon përgjegjësi, jo më retorikë opozitare, shkruan Zhurnal.

Ironia është kur pushteti kritikon opozitën –

Ironike është që një forcë politike që gëzon pushtet pothuajse absolut në qeveri dhe që ka fituar shumicën e komunave shqiptare e ndërton diskursin publik mbi kritika ndaj opozitës. Në politikë, legjitimiteti nuk matet më me kundërshtarin, por me rezultatet. Prandaj, sa më shumë që VLEN të përpiqet ta mbajë gjallë debatin me BDI-në, aq më shumë krijon përshtypjen se i mungon agjenda e vet qeverisëse.

Fitorja elektorale e VLEN-it në zgjedhjet qendrore dhe lokale, u përjetua nga shumë qytetarë si fillimi i një epoke të re një premtim për ndryshim, transparencë dhe drejtësi. Por ndryshimi nuk matet me njoftime për media apo me replika politike matet me rrugë të rregulluara, administratë efikase, punësime të drejta, arsim cilësor dhe investime reale në ekonomi. Qytetarët që votuan për “vlera” nuk presin më justifikime, por rezultate. Ata duan të shohin si do të përkthehet “ndryshimi” në përmirësimin e jetës së përditshme.

Koha për reflektim dhe veprim dhe jo për kritika ndaj opozitës –

VLEN duhet të reflektojë pas kësaj fitoreje të madhe. Tashmë ka të gjitha instrumentet për të dëshmuar se mund të qeverisë ndryshe. Nëse vazhdon të merret me BDI-në, rrezikon të përsërisë të njëjtin gabim që e ka kritikuar tek të tjerët të jetojë politikisht nga kundërshtari dhe jo nga vizioni i vet.

Pushteti kërkon maturi, orientim dhe përgjegjësi. Qytetarët nuk e votuan VLEN-in që të vazhdojë polemikat e së kaluarës, por që të hapë kapitull të ri për të ardhmen. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur fjalët zëvendësohen me vepra.

Në fund të ditës, VLEN-i nuk do të gjykohet nga sa fort e ka kritikuar BDI-në, por nga sa mirë do të qeverisë vetë. Prandaj, sa më parë që VLEN-i ndalon së kritikuari opozitën aq më herët do të fillojë të merret me taborrin e saj gjë që ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Fitorja është përgjegjësi dhe si e tillë duhet të trajtohet, assesi si tallje dhe anashkalim i përgjegjësisë sepse me këtë qasje çalimi është në prag të derës. Kush ka në plan qeverisje afatgjate fillon së punuari e kush është për qeverisje sezonale ia jep luksin që të merrret edhe me opozitën. Në demokraci opozita kritikon pushtetin dhe jo anasjelltas siç po ndodhë në vendin tonë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More