Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka thënë se vendi do të shkojë në zgjedhje dhe se as mandatar i dytë për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka votat për të formuar Qeverinë, raporton Ekonomia Online.
Zogaj, në një konferencë për media, tha se gjithçka që do të bëjë Vetëvendosje është thjesht një “shoë politik” në ditën kur do të thirret seanca.
“Nuk kemi informacion deri më tani që të ketë kontaktuar ndonjëri prej anëtarëve të grupit tonë. Nuk ka asnjë qasje – as institucionale, as zyrtare, as partiake dhe as individuale. Çfarë po shohim këto ditë është krejtësisht e njëjta qasje sikurse tek mandatar i parë. Mandatari i parë nuk pati as tendencë dhe as interesim për të krijuar institucionet e vendit, dhe njësoj po ndodh me mandatarin e dytë. Po shkojmë drejt fundit të afatit për krijimin e institucioneve, por nuk ka asnjë komunikim politik. Kjo na bën të kuptojmë se do të shkojmë deri në ditën e fundit dhe do të bëhet një “shoë politik” në Kuvend. Nuk do të ketë vota sepse ato nuk ekzistojnë, dhe më pas do të vendoset dita e zgjedhjeve”, tha ai.
Zogaj tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga ngërçi politik, të cilin sipas tij e ka krijuar Vetëvendosje, janë zgjedhjet. Megjithatë, ai theksoi se zgjedhjet në fund të dhjetorit nuk janë data më e përshtatshme.
“Afatet zgjedhore në vendin tonë janë kushtetuese. Nuk mund të vendosim për datën e zgjedhjeve sipas dëshirës, sepse ato përcaktohen nga kushtetuta dhe afatet kushtetuese. Afatet përcaktojnë datën e zgjedhjeve, duke u konsultuar me partitë politike dhe presidenten, dhe me gjasë do të jetë diku në fund të dhjetorit. Data 28 dhjetor nuk është e mirë për zgjedhje. Është periudhë kur njerëzit përgatiten për festat e fundvitit dhe jo për zgjedhje. Problematike është edhe organizimi i zgjedhjeve dhe ruajtja e votës gjatë numërimit, për shkak të festave të fundvitit. Mund të kemi mungesë të vëzhguesve ndërkombëtarë. Nuk është data ideale, por nëse afatet kushtetuese e përcaktojnë, LDK-ja është e gatshme. Janë zgjedhjet e katërta, dhe në tri palë zgjedhje kemi dalë më mirë”, deklaroi ai.
Zogaj gjithashtu theksoi se LDK-ja është fituesja e zgjedhjeve lokale:
“Jemi shumë të lumtur me rezultatin zgjedhor, rezultati na qetëson. Kemi fituar Prishtinën, që ishte gara më e madhe lokale, dhe po ecim tutje për t’u përgatitur për zgjedhjet qendrore. Jemi të bindur që zgjidhja e vetme e këtij ngërçi politik, sipas partisë fituese, janë zgjedhjet e reja dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
