Raportimi i KLSH përplasi PD me PS në Kuvend, ku opozita hodhi akuza se në raport flitet për 900 milionë euro të vjedhura nga qeveria në dy vite. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, gjatë fjalës së tij në Kuvend, iu përgjigj akuzave të opozitës dhe në veçanti Sali Berishës, të cilin e përmendi si “zotëria i 21 janarit”.
Duke iu referuar raportimeve dhe debatit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, ministri theksoi se Berisha po tenton të manipulojë publikun.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton në Kuvendin e Shqipërisë, jo përpara qeverisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka ardhur të bëjë politikë me qeverinë.
Qeveria jep llogari përpara këtij Kuvendi, kur përdoren ato instrumentet e kontrollit parlamentar, ashtu siç dinë t’i përdorin deputetët brenda kornizës ligjore dhe rregullative dhe përpara zgjedhësve.
Sapo ka dhënë llogari më 11 maj dhe shikoje se si është shumëfishuar.
Ndërkohë, zotëria i 21 janarit i ngatërron qëllimisht binarët e kontrollit parlamentar me veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që është veprimtari e nderuar, por që sot ka ardhur të japë llogari përpara këtij Kuvendi qëllimisht, sepse ka një përgjegjësi të madhe publike, qoftë ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit, që me mish e me shpirt është përpjekur ta nënshtrojë kur ka qenë kryeministër.
Por qoftë edhe përpara qytetarëve të këtij vendi, sepse, siç po e shikoni sot, diskutohet për barazinë, dhe ai zotëria i 21 janarit ka diskriminuar duke vrarë, duke torturuar, duke hequr njerëz nga puna, vetëm pse ishin socialistë”, tha Gogu.
