Shkup, 7 tetor – Në çdo proces zgjedhor pritet që partitë të ofrojnë ide, plane konkrete dhe vizione të qarta për zhvillimin e vendit. Megjithatë, ajo që po shohim sot në terren, sidomos nga partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut si AKI dhe VLEN është një fushatë që ngjan më shumë me një shfaqje retorike sesa me një garë idesh. Selame apo porosi nga secili tubim, sharje e sharje e ofendime, ironi e cinizëm, këto janë gjërat që dëgjohen vetëm idetë akoma nuk po shfaqen, shkruan Zhurnal.
E filluan me sharje po vazhdojnë me selame –
Në takimet me banorët, në vend që të dëgjohen propozime për zhvillim ekonomik, arsim, kulturë apo barazi, dominon një gjuhë e lodhur nga e kaluara. Fjalimet janë mbushur me “selame” për kundërshtarët, me akuza të ricikluara dhe me batuta që shpesh prodhojnë më shumë zhurmë se përmbajtje. Kjo tregon se jemi përballë njërës prej fushatave më të dobëta që ka njohur Maqedonia që nga pavarësia e saj.
Në vend të ideve, ofrohet ironi. Në vend të programeve, përgojime. Në vend të garës për besim, një betejë për mbijetesë politike.
Ky është realiteti i hidhur i politikës sonë mungesa e përmbajtjes është bërë strategji, dhe boshllëku është maskuar si komunikim politik.
Por qytetarët nuk ushqehen më me fjalë boshe. Ata duan të dinë si do të hapen vendet e punës, çfarë reformash do të prekin arsimin, kur do të ndalet korrupsioni dhe pse ende nuk ndihet ndryshimi që u premtua në çdo palë zgjedhje. Në mungesë të këtyre përgjigjeve, fushatat tona mbeten një rreth vicioz i sharjeve, akuzave dhe “selameve” që askujt nuk i sjellin dobi.
Prandaj, apeli është i qartë mjaft më me “ai ka vjedhur” dhe “ky ka tradhtuar”. Nëse keni programe, shpalosini. Nëse keni vizion, tregoni. Sepse politika nuk është thjesht art i fitimit të zgjedhjeve është përgjegjësi ndaj njerëzve që presin zgjidhje reale, jo shfaqje me mikrofon nëpër fushata.
Kujtojmë që, historia do t’i harrojë sharjet, por do të mbajë mend idetë. Dhe fatkeqësisht, në këtë fushatë, idetë mungojnë më shumë se kurrë. Mungesa e ideve është tregues i qartë që jemi larg ndryshimit, pasi hapi parë për ndryshim e realizim është plasimi i idesë, që i bie se akoma kemi ngecur në vendnumërim. /Zhurnal.mk