Uluni rehat, largoni duart nga timoni dhe filloni manovrën e parakalimit duke hedhur një shikim në pasqyrën e pasme blerësit e BMW-së së shpejti do të mund ta përjetojnë këtë në shumë vende evropiane falë sistemit Motorway Assistant (Asistent për drejtim në autostradë). Grupi BMW është prodhuesi i parë i automjeteve në Gjermani që ka marrë miratim për sistemet e ndihmës së shoferit për modelin e ri BMW iX3, në përputhje me Rregulloren nr. 171 të OKB-së për sistemet e ndihmës së shoferit (DCAS).
Kjo rregullore krijon kornizën ligjore ndërkombëtare për sisteme ndihmëse të avancuara të nivelit 2, me fokus te siguria e përdoruesit. Miratimi i lejon Grupit BMW që në të ardhmen të ofrojë Motorway Assistant me funksionin “hands-off” (pa duar) të nivelit 2 në shumë modele dhe vende të tjera, si dhe me funksione të zgjeruara. Së shpejti do të pasojnë edhe funksione të reja ndihmëse për drejtimin në qytet. Gjenerata aktuale e asistentit për drejtim në autostradë sapo ka fituar çmimin Tech Award në kategorinë Sistemet ndihmëse për komoditet.
Rregullat e DCAS-it të fokusuara në siguri na mundësojnë ta prezantojmë Motorway Assistant me funksionin pa duar në shumë vende të tjera. Do të pasojnë sisteme të tjera ndihmëse inovative, me qasjen tonë të veçantë simbiotike mes automjetit dhe shoferit. Ne po krijojmë një ndërveprim perfekt midis algoritmeve të bazuara në rregulla dhe inteligjencës artificiale. Shoferi mbetet gjithmonë i përfshirë, sistemet tona janë të menaxhueshme në çdo moment dhe sjellja e tyre është e riprodhueshme
ka deklaruar Dr. Mihiar Ayoubi, nënkryetar i lartë për zhvillimin e përvojës së drejtimit në BMW. Kur Motorway Assistant është aktiv, shoferët mund t’i mbajnë duart larg timonit në shpejtësi deri në 130 km/h, por duhet të qëndrojnë të vëmendshëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë.

Sistemi ndihmon në ruajtjen e drejtimit brenda korsisë, dhe kur është e nevojshme, mund të ndryshojë automatikisht korsi e vetmja gjë që kërkohet nga shoferi është ta konfirmojë me një shikim. Miratimi i ri DCAS mundëson funksione edhe më të avancuara. Me navigimin aktiv BMW Maps, sistemi paralajmëron në kohë për ndryshimin e korsisë në kryqëzime dhe dalje nga autostrada, dhe shoferi mund ta konfirmojë me shikim në pasqyrë. Motorway Assistant mbetet aktiv edhe gjatë kalimit nëpër kryqëzime të autostradës dhe deri në fund të daljes së saj. Gjenerata e mëparshme e këtij sistemi u prezantua për herë të parë me BMW Seria 5 (2023). Në atë kohë, Grupi BMW kishte marrë një leje të përkohshme nga Autoriteti Federal i Transportit Motorik të Gjermanisë për miratimin e sistemit. Tani, me miratimin zyrtar DCAS, lejet e veçanta nuk janë më të nevojshme, dhe sistemet mund të ofrohen në të gjithë Evropën dhe në të tjera vende të zonës ECE.
