Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes zhvilloi sot një seancë dëgjimore referuar kërkesës së një të katërtës së deputetëve të opozitës me ministren e Brendshme Albana Koçiu, në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë publike në vend si dhe masat e ndërmarra deri tani nga Ministria e Brendshme dhe strukturat vartëse.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu parashtroi kërkesën e opozitës, duke u shprehur se “është bërë si rrjedhojë e një situate alarmante që ka të bëjë me situatën e sigurisë”.
Balliu renditi disa raste të ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend, duke nisur që nga rasti i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në detyrë.
Balliu gjithashtu u shpreh se, Policia e Shtetit nuk ka ekzekutuar 241 fletarreste të urdhëruara nga SPAK.
Balliu gjithashtu denoncoi rastet e armëmbajtjes pa leje.
“Policia e Shtetit në një situatë të tillë dhe Ministria e Brendshme do të duhet të ishte duke bërë aksione në lidhje me këto çështje dhe jo me monopatinat apo me ndërtimet pa leje”, tha ai.
Ai u shpreh se, “për sa kohë e shikoj Ministrinë e Brendshme të gjithën të angazhuar tek lufta me monopatinat, tregon që s’ka shumë punë, ndërkohë që duhet të kishte pasur ndonjë punë tjetër, në lidhje me këto kërkesa që kemi bërë ne”.
“Kërkesa jonë është e lidhur me sigurinë në institucione, me sigurinë e territorit”, tha ai.
