Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi sot tabelat përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për kryetarë të bashkive Vlorë dhe Berat, për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie, që u zhvilluan në datën 9 nëntor 2025.
Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve u miratuan në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore të bashkisë Berat dhe të bashkisë Vlorë duke ndjekur procedurat e parashikuara në nenin 123 të Kodit Zgjedhor.
Në zgjedhjet e pjesshme vendore në bashkinë e Vlorës, fituese u shpall Brunilda Mersini, nga Partia Socialiste, e cila mori 15 672 vota ose 78,44% të votave. Kandidati i propozuar nga zgjedhësit, dhe i mbështetur nga Partia Demokratike, Dionis Sota, mori 2 333 vota ose 11,68%, ndërsa Gjergji Nika, kandidat i pavarur, i propozuar nga zgjedhësit, mori 1 975 vota ose 9,88%.
Në bashkinë Berat, kandidati i PS, Ervin Ceca mori 13 050 vota ose 83,35%, ndërsa Pavlo Shkarpa, kandidat i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga PD, mori 2607 vota ose 16,65%.
