Deputetet e opozitës kërkese Presidentit: Mos dekreto ligjin për barazinë gjinore

nga D. V.

Deputetet e opozitës i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Presidentit të Republikës, që të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin për barazinë gjinore. Në kërkesë evidentohen të gjitha argumentet për antikushtetutshmërinë e ligjit.

Në kërkesë theksohet se “ligji “Për Barazinë Gjinore” nuk bie ndesh vetëm me të drejtën e BE-së, por bie ndesh haptazi edhe me vetë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

“Përmbajtja e këtij ligji nuk është një përparim në drejtim të të drejtave të njeriut, por një devijim i qartë nga fryma dhe gërma e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në thelb, ai përpiqet të zëvendësojë rendin juridik të bazuar në realitetin biologjik dhe moral të njohur në Kushtetutë, me një sistem normash që burojnë nga një ideologji e imponuar. Kjo përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për vetë themelet e shtetit të së drejtës”, vijon letra.

“Së pari, neni 18 i Kushtetutës garanton barazinë para ligjit “pa dallim gjinie”, duke iu referuar qartësisht dy gjinive biologjike, mashkull dhe femër, që janë themeli i rendit natyror dhe juridik të shtetit. Ligji, duke futur koncepte si “identitete të shumëfishta gjinore” apo “përkatësi e ndërthurur”, tejkalon kuadrin kushtetues dhe krijon një kategori të re ligjore që nuk ekziston në tekstin themelor të Republikës. Kështu, ai jo vetëm shtrembëron frymën e nenit 18, por tenton të rishkruajë antropologjinë njerëzore përmes ligjit”, thuhet në shkresë.

“Së dyti, neni 22 i Kushtetutës, që mbron lirinë e shprehjes dhe të shtypit, bie ndesh me dispozitat e ligjit që sanksionojnë fjalën ndryshe. Kriminalizimi, ndëshkimi administrativ, apo njohja e dëmshpërblimit civil të sanksionuara në këtë ligj, ndaj çdo qëndrimi që nuk përputhet me doktrinën e “identitetit gjinor” kthehet në një formë censure të institucionalizuar, e cila ndalon debatin, kërkimin shkencor dhe kritikën morale apo fetare. Një ligj që ndëshkon fjalën, për nga natyra, është një ligj që ndëshkon mendimin dhe ndërgjegjen, pra e shkel vetë frymën e demokracisë”, vijon letra.

“Së katërti, neni 54 i Kushtetutës njeh prindërve të drejtën për t’u siguruar fëmijëve të tyre edukim moral dhe fetar në përputhje me bindjet e tyre. Futja e “edukimit gjinor” me përmbajtje që promovon koncepte të shumëfishta identitare, jo vetëm pa pëlqimin e prindërve, por edhe në kundërshtim me vlerat e tyre, përbën cenim të drejtpërdrejtë të autoritetit prindëror dhe të autonomisë familjare. Shteti, në këtë mënyrë, hyn në një fushë që nuk i përket, ndërgjegjen e fëmijëve dhe drejtimin moral të familjes”, lexohet në kërkesë.

“Në thelb, ky ligj përmbys ekuilibrin themelor midis lirisë dhe detyrimit. Ai e zëvendëson lirinë e ndërgjegjes me imponim ideologjik, fjalën e lirë me frikë, dhe bindjen morale me konformitet të detyruar. Përmes terminologjisë së turbullt si “identitet gjinor”, “përkatësi e shumëfishtë” dhe “ndërthurje sociale”, ky ligj tenton të rishkruajë vetë përkufizimin e njeriut, duke e kthyer biologjinë në çështje opinioni dhe ndjenjën personale në burim detyrimi ligjor në kuptimin e gjinisë, dhe krijon një terren të rrezikshëm për censurë ligjore dhe kufizim të lirive themelore të mendimit, fesë dhe shprehjes.

Problemi i vërtetë i ligjit nuk kufizohet vetëm në mënyrën si do të përkufizohen termi “gjini” apo termi “Përkatësi e shumëfishtë”. Problemi qëndron në faktin se pas çdo përmendjeje të fjalës “gjini”, ligji shoqërohet në mënyrë të përsëritur me togfjalëshin “për shkak të përkatësisë së shumëfishtë gjinore” dhe me shprehjen “në të gjithë diversitetin e tyre.” Dhe këtë e bën dhjetëra herë në përmbajtjen e ligjit, në kontekste nga më të ndryshmet. Në këtë mënyrë, ligji nuk ndalet më tek koncepti juridik dhe biologjik i gjinisë, sado mirë të jetë përkufizuar në ligj, por shtrihet përtej tij, duke njohur edhe “përkatësinë e shumëfishtë gjinore” apo “gjinitë në gjithë diversitetin e tyre,” pra duke e zëvendësuar realitetin natyror binar të grave dhe burrave me një kuadër të pafundësisht të hapur, pa përkufizim juridik dhe pa mbështetje kushtetuese”, thuhet në shkresë ndër të tjera.

“Për këtë arsye, ju kërkojmë që të paktën një herë të vetme gjatë ushtrimit të detyrës tuaj si President i Republikës, të ngriheni në lartësinë e detyrës, të ndaloni përçarjen, deformimin, denatyrimin, dhe të ndiqni edhe këshillat e komuniteteve fetare, për të ruajtur traditën shqiptare se asnjë rregull në shoqërinë tonë nuk mund të imponohet në kundërshti me përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Për të gjitha sa më lart, Të riktheni për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për barazinë gjinore”, sipas kompetencës që ju njeh Kushtetuta në nenin 85 të saj.” thuhet në kërkesë.

Shkresa përmban 12 faqe, ku rreshtohen argumentat e deputeteve opozitës mbi arsyet se përse kreu i shtetit duhet të mos e dekretoi ligjin “për Barazinë Gjinore”, i cili u miratua një javë më parë me votat e mazhorancës në Kuvend.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More