Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump është angazhuar për t’i dhënë fund luftës në Evropë, progresi në Lindjen e Mesme ka ngecur, sipas “NBC News”.
Presidenti amerikan pritet të takohet sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në rezidencën e tij në Florida, me shpresën për të çuar perpara armëpushimin që ai ndërmjetësoi në Gaza.
Lideri izraelit ndërkohë pritet t’i paraqesë presidentit amerikan, Trump argumente për veprimet e reja kundër Iranit.
“Këto dy çështje pritet të jenë në qendër të diskutimeve në rezidencën Mar-a-Lago të Trump”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Sipas raportimeve të medieve amerikane, Netanyahu ka mbërritur në Florida me avionin e tij qeveritar.
Axhenda e takimeve parashikon një takim të Netanyahut me Marco Rubio, sekretarin amerikan të Shtetit në 16:00 dhe më pas me presidentin amerikan, Donald Trump rreth orës 19:00.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi në tetor të këtij viti, duke i dhënë fund konfliktit 2-vjeçar në Gaza, por, ka pasur disa lëvizje në fazën e dytë, më komplekse, të procesit të paqes, duke ngritur shqetësime se të dyja palët po dështojnë në ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e fazës së ardhshme të marrëveshjes.
Më shumë se 400 persona janë vrarë në enklavën palestineze që nga nisja e armëpushimit sipas autoriteteve lokale, ndërsa Izraeli ka akuzuar Hamasin për shkeljen e tij, përfshirë dhe vonesat në kthimin e trupave të pengjeve, me një trup që ka mbetur ende për t’u dorëzuar.

