“Përdorimi i mjeteve piroteknike në të kaluarën ka shkaktuar një sërë problemesh për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht gjatë muajve të fundit të vitit, kur festat dhe traditat e fundvitit sjellin një rritje të konsiderueshme të përdorimit të tyre. Viktimë mund të jetë kushdo dhe në vend të festës, të lënduarit mund të ndodh t’i kalojnë festat në spitale”, thonë në polici
Sektori për parandalim të krimeve në Policinë e Shkupit po vazhdon me aktivitetet dhe kontrollet e shtuara me qëllim sigurinë e qytetarëve para festave të Vitit të Ri, konkretisht parandalimin e shitjes dhe shpërthimet e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike. Parandalimi, thonë në polici, është mënyra më e mirë që mos të ndodhin lëndime dhe për këtë ka disa vite që Njësia e Parandalimit e zhvillon këtë fushatë, me qëllim që të ndërgjegjësohet popullata për rrezikun e përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë kësaj periudhe festive.
Përveç apeleve për kujdes me mjetet piroteknike, policia ka përkujtuar gjobat, konkretisht nenin 31 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, e që parasheh gjobë në shumë prej 200 deri në 500 euro në kundërvlerë të denarit për ata që pa autorizim gjuajnë me armë zjarri, përdorin mjete piroteknike, lëndë të ngjashme shpërthyese lehtësisht të ndezshme ose në mënyrë të ngjashme prish qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.
“Përdorimi i mjeteve piroteknike në të kaluarën ka shkaktuar një sërë problemesh për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht gjatë muajve të fundit të vitit, kur festat dhe traditat e fundvitit sjellin një rritje të konsiderueshme të përdorimit të tyre. Viktimë mund të jetë kushdo dhe në vend të festës, të lënduarit mund të ndodh t’i kalojnë festat në spitale”, thonë në polici.
Përveç policisë, edhe mjekët apelojnë për kujdes gjatë festave me mjete shpërthyese. Ndër lëndimet më të zakonshme të shkaktuara nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike, thonë mjekët, janë lëndimet komplekse të duarve që shkaktojnë paaftësi të përhershme, djegie të lëkurës, amputime e gishtave dhe duarve, si dhe lëndimet e syve dhe të fytyrës. Shikuar nga prizmi i numrit të lënduarve në vitet e kaluara, fishekzjarrët dhe të gjitha mjetet e tjera piroteknike janë shkaku kryesor i invaliditetit te adoleshentët gjatë Vitit të Ri dhe në përgjithësi në periudhën festive të fundvitit. Gjegjësisht, në këtë periudhë numri i lëndimeve nga mjetet shpërthyese është dukshëm më i lartë në krahasim me pjesën tjetër të vitit. (koha.mk)
