Marshimi i pandalshëm përpara: Thirrje për veprim në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

nga Redaksia

Nga Belen Sanz Luque dhe Florence Bauer 

Imagjinoni një botë ku grave u mohohen të drejtat themelore për arsimim, votim, pronë dhe autonomi. Një botë ku siguria, dinjiteti dhe pavarësia nuk janë garanci, por beteja të përditshme. Kjo botë, edhe pse në dukje arkaike, mbetet një realitet i ashpër për shumë gra dhe vajza. 

Ua detyrojmë përparimin tonë grave të panumërta që luftuan pa u lodhur për drejtësi dhe barazi, të cilat kërkuan një “dhomë të tyren”. Lufta e tyre arriti kulmin në Konferencën historike të Pekinit të vitit 1995, ku liderët globalë u përkushtuan për një të ardhme ku të drejtat dhe fuqizimi i grave do të jenë universale. Megjithatë, tridhjetë vjet më vonë, e gjejmë veten në një kryqëzim kritik.

Paradoksi i kohës sonë është i zymtë: megjithëse festojmë një përparim të paprecedentë, lufta për të drejtat e grave nuk ka qenë kurrë më e nevojshme. Gratë i kanë thyer barrierat, vajzat janë më të arsimuara dhe mbrojtja ligjore është forcuar. Megjithatë, këto përfitime janë duke u sulmuar. Reagimet e ashpra negative globale kundër të drejtave të grave po e thellojnë diskriminimin, duke e dobësuar mbrojtjen ligjore, duke i kufizuar të drejtat riprodhuese dhe duke e zvogëluar financimin për barazinë gjinore. Ankthet rreth ndryshimeve demografike, veçanërisht nivelet e ulëta të natalitetit dhe rënia e popullsisë, po përdoren si justifikim për të zmbrapsur përfitimet e fituara me vështirësi për sa i përket barazisë gjinore dhe për të kufizuar të drejtat riprodhuese.

Në vitin 2024, gati një e katërta e qeverive në mbarë botën raportuan për reagime të ashpra negative kundër të drejtave të grave. Dhuna ndaj grave mbetet jashtëzakonisht e lartë, me ç’rast 24 milionë gra në Evropë dhe në Azinë Qendrore kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale vetëm gjatë vitit të kaluar. Dhuna e lehtësuar nga teknologjia është shfaqur si një kërcënim në rritje, duke prekur në mënyrë disproporcionale gratë e reja. Në Ukrainë, ku lufta ka riformësuar çdo aspekt të jetës, vlerësohet se rreth 2,4 milionë njerëz – kryesisht gra dhe vajza – kanë nevojë urgjente për shërbime të parandalimit dhe reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore     .

Përfaqësimi politik i grave është përmirësuar, me atë gratë që tani mbajnë mesatarisht 32 për qind të mandateve parlamentare në Evropë dhe në Azinë Qendrore (nga 11 për qind në vitin1995). Mirëpo, ritmi i progresit po ngadalësohet, dhe në disa vende, po zmbrapset.     Dhuna me bazë gjinore , normat e dëmshme shoqërore dhe barra e pabarabartë e punës së papaguar të kujdesit vazhdojnë të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe mundësojnë vazhdimin e varfërisë. Kjo ndihet veçanërisht nga gratë më të margjinalizuara, duke përfshirë ato që jetojnë në zona rurale ose ato që janë me aftësi të kufizuara, ato që u përkasin grupeve minoritare dhe gratë e moshuara. Në Ukrainë, lufta ka përkeqësuar disa pabarazi gjinore që kanë ekzistuar më parë, duke i lënë gratë të përballen me rreziqe të shtuara të dhunës dhe ngarkesa më të rënda shtëpiake, edhe pse, në të njëjtën kohë, gratë kanë rritur pjesëmarrjen e tyre si punonjëse humanitare, udhëheqëse të shoqërisë civile, mobilizuese të komunitetit dhe sipërmarrëse – sot, një në çdo dy biznese në Ukrainë është themeluar nga një grua.

Me ritmin aktual, barazia gjinore mbetet një ëndërr e largët. Një vajzë e lindur sot do të jetë 40 vjeçe para se gratë të arrijnë barazinë parlamentare, 68 vjeçe para se të zhduket martesa e fëmijëve dhe mund të mos e shohë kurrë fundin e varfërisë ekstreme. Nuk mund ta pranojmë këtë të ardhme.

Ne, si përfaqësues të UN Women dhe UNFPA, dy agjencitë kryesore të OKB-së të ngarkuara me promovimin e barazisë gjinore, kërkojmë veprim në vend të apatisë, rezistencë në vend të dorëzimit dhe shpresë në vend të dëshpërimit. Ne jemi trashëgimtarë të kësaj lufte të vështirë, por jemi gjithashtu edhe brezi që mund ta bëjmë realitet barazinë gjinore. Barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me gratë dhe vajzat; ajo është rruga përpara për mbarë njerëzimin.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, u bëjmë thirrje të gjithëve që të angazhohen për të drejtat, fuqizimin dhe barazinë për të gjitha gratë dhe vajzat. Le ta kujtojë historia vitin 2025 si vit në të cilin e treguam qëndrimin tonë, si vit në të cilin refuzuam që përparimi të na ikë nga dora, si vit në të cilin e bëmë barazinë gjinore vërtet të pandalshme. Le të marshojmë përpara, së bashku, si qeveri, shoqëri civile, sektor privat dhe individë, duke siguruar që premtimi i Pekinit të bëhet realitet për të Gjitha gratë dhe vajzat. 


Belen Sanz Luque është Drejtoreshë Rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore. 

Florence Bauer është Drejtore Rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More