Shkup, 7 qershor – Pas një periudhe të gjatë shqetësimesh, mungesash dhe kritika publike, duket se Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë po hyn në një fazë të re të përpjekjeve për rikthimin e funksionalitetit dhe besimit të qytetarëve. Në një kohë kur sfidat në sektorin e shëndetësisë janë të ndjeshme dhe shpesh reflektojnë gjendjen e përgjithshme të institucioneve publike në vend, çdo shenjë përmirësimi është me rëndësi strategjike për qytetarët dhe komunitetin lokal. Rikthimi i të punësuarve është shpresë se punëtorët do të trajtohen me dinjitet ashtu siç e meritojnë dhe jo me kontrata fiktive, shkruan Zhurnal.
Rikthimi i punëtorëve shpresë për përfaqësim të duhur etnik –
Pas një periudhe të gjatë të mjegullt dhe të tronditur nga keqmenaxhimi dhe dyshimet për punësime të jashtëligjshme, Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë duket se po përpiqet të kthejë faqen dhe të rikthejë funksionalitetin institucional në përputhje me ligjin dhe pritshmëritë e qytetarëve. Sinjalet për një kthesë pozitive janë dhënë nga vetë drejtori aktual i institucionit, Sedat Zulbeari, i cili në një konferencë për shtyp prezantoi një përmbledhje të punës së tij njëvjeçare.
Në thelb të këtij vlerësimi qëndron një çështje delikate dhe që ka krijuar jo pak zhurmë publike punësimet jashtëligjore të realizuara nga udhëheqja e mëparshme. Zulbeari deklaroi:
“Në fillim të mandatit tim si drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë u përballa me sfida serioze, që kërkonin vendimmarrje të guximshme dhe mbi të gjitha, respekt të pakompromis ndaj ligjit dhe interesit publik. Si një ndër çështjet më të ndjeshme ishte situata me afër 30 kontrata të lidhura në kundërshtim me ligjin, të cilat u detyruam t’i ndërpresim”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Kumanovë, Sadat Zulbeari.
Kjo qasje, ndonëse e rrezikshme politikisht dhe emocionalisht e ngarkuar, reflekton një përpjekje për t’i dhënë fund praktikave klienteliste që kanë dëmtuar për një kohë të gjatë besimin e qytetarëve në institucionet publike. Veprimi i tij nuk mbeti në nivelin e anulimit por u pasua nga një proces i ristrukturimit të brendshëm dhe riangazhimit të stafit përmes procedurave të rregullta.
“Sot, me kënaqësi theksoj se për më pak se një vit kemi arritur t’i rikuperojmë ato vende pune në mënyrë të ligjshme dhe të miratuara me të gjitha procedurat e nevojshme… Shumë prej personave që më parë kanë qenë të angazhuar, janë rikthyer përmes procedurave të rregullta, duke dëshmuar se ky institucion nuk përjashton, por përfshin – gjithmonë në përputhje me ligjin”, theksoi Zulbeari.
Kjo deklaratë nuk është vetëm një justifikim formal, por një sinjal i qartë i një filozofie të re menaxhimi: transparencë, përfshirje dhe respekt për rregullat. Është veçanërisht e rëndësishme që, siç u tha, shumica e personave të mëparshëm janë rikthyer në pozitat e tyrepor këtë herë në mënyrë të dokumentuar, të verifikuar dhe të kontrolluar.
Natyrisht, ky proces nuk duhet parë si një sukses i përfunduar, por si një hap drejt një modeli të ri të qeverisjes institucionale. Funksionimi i mirë i një shtëpie shëndeti nuk matet vetëm me strukturat administrative, por me cilësinë e shërbimeve, disponueshmërinë e personelit mjekësor, infrastrukturën, qasjen ndaj pacientëve dhe efikasitetin në trajtim.
Pikërisht këtu qëndron edhe sfida e radhës për menaxhmentin aktual: të tregojë se ky transformim nuk është vetëm ligjor dhe etik, por edhe praktik dhe funksional. Qytetarët presin përmirësime të dukshme në terren qoftë në ndihmën e shpejtë, tek specialistët, në farmacitë publike apo në pajisjet diagnostikuese.
Në këtë kontekst, mund të thuhet se po shfaqen shenja të një rikthimi të mirëfunksionimit në Shtëpinë e Shëndetit të Kumanovës. Por ky rikthim do të matet jo vetëm me statistika të brendshme, por me ndjesinë e qytetarëve në derën e mjekut, në sytë e pacientëve dhe në shërbimin që marrin jo vetëm me fjalë, por me përvojë konkrete.
Në fund, është me rëndësi të theksohet se ky ndryshim nuk është një sukses i izoluar i një drejtori, por duhet të jetë një nismë e përbashkët për ta reformuar dhe ndërtuar sistemin publik shëndetësor mbi themele të qëndrueshme dhe të drejta. Përndryshe, çdo përmirësim do të mbetet i përkohshëm dhe sërish do t’i hapë rrugë praktikave të vjetra që e kanë dëmtuar rëndë shëndetësinë publike. /Zhurnal.mk
 
			        
 
			        