A skadon projekti VLEN pas zgjedhjeve lokale?

nga I.A

Shkup, 25 shtator – Koalicioni VLEN i cili u prezantua si një shpresë e re për të tejkaluar fragmentimin apo copëtimin politik në bllokun shqiptar në Maqedoninë e Veriut duket se ka mbetur vetëm në nivelin e një projekti elektoral. Premtimi se ky koalicion do të shndërrohej në një parti të vetme politike nuk është përmbushur, dhe arsyet, sipas njërit prej eksponentëve të saj, Zeqirija Ibrahimit, janë të dyfishta juridike dhe politike. Duke marrë për bazë këtë deklaratë a i bie që projekti VLEN skadon pas zgjedhjeve lokale? shkruan Zhurnal.

Deri kur VLEN-i?

Në planin juridik, problemi kryesor lidhet me financimin shtetëror. Çdo parti që merr pjesë në zgjedhje përfiton mbështetje financiare në bazë të votave, deputetëve dhe këshilltarëve që ka siguruar. Nëse partitë që përbëjnë VLEN-in do të shuheshin për t’iu bashkuar një subjekti të vetëm, ato do të humbnin këtë burim të rëndësishëm financimi. Kjo do të krijonte një boshllëk serioz për mbijetesën e partive, veçanërisht në një sistem politik ku paratë nga buxheti janë oksigjeni kryesor i jetës partiake. Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore që ruan financimin, bashkimi në një subjekt të vetëm shihet si vetëvrasje politike dhe ekonomike. Ky është sqarimi që dha Zeqirija Ibrahimi në një paraqitje mediatike. 

Por dimensioni politik është edhe më i ndërlikuar, pasi sipas Ibrahimit, edhe pse partitë e koalicionit kanë unifikuar disa pika të përbashkëta, ato ende mbajnë dallime të forta në çështje themelore të identitetit dhe ideologjisë. Përderisa në zgjedhje, energjia e përbashkët për rrëzimin e një kundërshtari të madh funksionon si ngjitës i përkohshëm, në periudhën paszgjedhore këto dallime fillojnë të dalin në sipërfaqe. VLEN në këtë aspekt duket më shumë si një projekt sezonal, një mekanizëm zgjedhor që funksionon për të fituar mandate, por që nuk ka infrastrukturën e brendshme, kulturën politike dhe besimin reciprok për të funksionuar si parti e vetme.

Këtu qëndron edhe dobësia strukturore e këtij projekti, VLEN nuk e ka tejkaluar mentalitetin e bashkimit të përkohshëm kundër dikujt, në vend të ndërtimit të një alternative të përhershme për diçka. Sa herë që politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut është përpjekur të konsolidohet, është hasur në të njëjtin problem partitë nuk duan të sakrifikojnë as logon, as financimin, e mbi të gjitha as kontrollin mbi strukturat.

Nëse VLEN nuk arrin të shndërrohet në një subjekt të vetëm, atëherë i ngjason më shumë një koalicioni ad hoc, që pas zgjedhjeve lokale do ta humbasë fuqinë e vet, duke u rikthyer secila parti në orbitën e saj të vogël. Ky rrezik e bën VLEN-in një projekt me afat skadimi, i cili funksionon vetëm deri në momentin që mbahen zgjedhjet, por nuk ka garanci se do të mbijetojë si një forcë politike e qëndrueshme.

Kujtojmë që, dështimi për ta kthyer VLEN-in në parti të vetme është simptomë e një problemi më të madh në skenën politike shqiptare mungesa e vullnetit për unitet të qëndrueshëm dhe dominimi i interesave afatshkurtra mbi vizionin strategjik. Prandaj, mbetet të shihet ditëve në vijim pasi zgjedhjet lokale janë në prag dhe gjithë këto dilema të ngritura shuhen pas rezultatit që do të pasojë nga këto zgjedhje. Si dhe jetëgjatësia e VLEN-it përcaktohet përfundimisht, vazhdojnë bashkë apo i ndajnë rrugët, këtë të fundit dinë ta bëjnë më së miri. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More