Shkup, 25 shtator – Çmimi i banesave në Shkup, por në përgjithësi edhe në qytet tjera të Maqedonisë së Veriut ka arritur shifra rekorde. Në kryeqytet çmimet shkojnë edhe deri në 3 mijë euro për një metër katror, një shumë kjo e pa përballueshme për blerësit. Kjo situatë e krijuar ka bërë që shumë të rinj mos të kenë mundësi të blejnë një apartament me rrogat që i marrin në vend dhe kështu të dëshpëruar ikin jashtë vendit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Banka Popullore ka regjistruar një rritje vjetore të çmimeve të apartamenteve në Shkup prej 22.3 përqind në tremujorin e dytë të vitit 2025. Çmimet e apartamenteve në kryeqytet vazhdojnë të rriten me shpejtësi në një periudhë në të cilën ndërtimi i apartamenteve të reja është ngadalësuar. Në periudhën janar-prill të këtij viti, në Shkup janë lëshuar leje ndërtimi për gjithsej 1.232 apartamente, që është 18 përqind më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar kur janë lëshuar leje ndërtimi për gjithsej 1.559 apartamente, por këtu nuk llogariten edhe banesat që po ndërtohen pa leje, e të cilat më pas legalizohen nga komunat përkatëse.
E përkthyer në para, sektori i pasurive të paluajtshme shënoi një qarkullim prej mbi një miliard euro për herë të parë vitin e kaluar, zbulohen nga të dhënat nga Agjencia e Kadastrës për vitin 2024 ku qartë tregohet se u kryen gjithsej 22,548 transaksione dhe vlera e tyre arriti në mbi 1 miliardë euro.
Çmimet e një metri katror banesash në kryeqytet, të cilat në disa vende kalojnë 2500-3000 euro, janë joreale ose tepër të larta.
Një arsye tjetër pse çmimet e apartamenteve u detyruan të rriteshin është sepse materialet e ndërtimit, nafta, energjia elektrike, puna e dorës, toka ndërtimore etj, janë shtrenjtuar dukshëm. Një faktor i ri që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të apartamenteve në vitin 2025 janë çmimet më të larta të shërbimeve inxhinierike, të cilat kanë filluar të aplikohen këtë vit. Lista e re e çmimeve mbulon të gjitha shërbimet inxhinierike – projektimin, auditimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin.
Gjithashtu edhe komunat i kanë rritur kostot e shërbimeve për urbanizim, legalizim dhe dhënien e lejeve për ndërtim, varësisht nga komuna, por ato sillen nga 10 deri në 30 përqind më shumë.
Tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me një shpërthim të çmimeve të metrave katrorë të banesave. Sigurisht, kërkesa dikton rritjen, por është koha t’i jepet fund arbitraritetit të zhvilluesve privatë.
Një opsion është që shteti nëpërmjet Ndërmarrjes Publike për Banes dhe Hapësirë Biznesi (ADISSDP), të fillojë të ndërtoje ndërtesa të banimit komercial, me qëllim uljen e çmimit të një metri katror banesash.
Kështu, shteti do të ofrojë çmime reale të apartamenteve dhe ndërtuesit privat nuk do të kenë mundësi të vendosin çmime sipas tekeve të tyre. Megjithatë, kjo do të marrë kohë, 4-5 vite për të ndërtuar një godinë dhe në këtë mënyrë shteti është vonuar tepër.
Kjo ndërmarrje ka filluar ndërtimi i një ndërtese banimi komerciale në Manastir, e cila do të ketë 65 banesa dhe një tjetër është në plan të ndërtohet me gjithsej 60 apartamente. Do të ndërtohen dy ndërtesa në Ohër, me gjithsej 130 banesa. Sipas planit aktual, do të ndërtohen godina banimi edhe në Shtip, Manastir, Shkup dhe Veles. Por, asnjë nuk është planifikuar në qytet ku banojnë shumica e popullatës shqiptare, qoftë, Struga, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi apo Kumanova, shkruan “Zhurnal.mk”.
Sa i përket ndërtesave sociale, objekte të këtij lloji po ndërtohen në komunat Butel dhe Saraj të Shkupit, si dhe në komunën e Prilepit, ndërsa në Shtip është duke u zhvilluar një prokurim publik për përzgjedhjen e një kontraktori.
Një ndërtesë e cila u ndërtu anga kjo ndërmarrje publike, e cila kishte 112 apartamente në Shkup, u shit thuajse menjëherë me një çmim prej rreth 1,600 eurosh për metër katror në ankandin e parë publik të mbajtur në fillim të vitit 2024, dhe çmimi fillestar ishte 1,450 euro. Në ankandin e dytë, të mbajtur në korrik, çmimi arriti në 1,916 euro. Dhe ky çmim është ende dukshëm më i ulët se ai i apartamenteve investitorët e të cilave janë kompani private.
Por, edhe me këtë formë, qartë duket se kërkesa e shumtë i ka rritur çmimin, pra nga 1450 si çmim fillestar, çmimi arrin në 1900. Në këtë formë, shteti nuk arrin ta zvogëlojë çmimin e banesave, sepse vetëm se bëhet pjesë e lojës së tregut të patundshmërive.
Prandaj, duhet të gjenden forma tjera të pranueshme që çmimet të zvogëlohen, e kjo mund të bëhëet vetëm nëse ndërtohen banesa nga shteti e të shiten me çmim fiks të ulët. Në aspektin social, duhet të punohet që të rinjve t’iu mundësohen kushte më të mira dhe më adekuate që mos të largohen nga vendi dhe të kenë jetë më të lehtë dhe të qasshme në shërbime që nuk e vështirësojën jetesën, shkruan “Zhurnal.mk”.