Ministria e Arsimit njoftoi se, do të hartohen projekte të reja për ndërtesat e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe të FSHIIK-ut në Shkup, ndërtimi i të cilave është ndalur para gjashtë vitesh. Një grup pune i udhëhequr nga profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, gjatë gjashtë muajve të fundit ka kryer ekzaminime të gjendjes në të cilën ndodhen ndërtesat.
“Grupi i punës që koordinohet nga profesori Markovski inicioi rishikimin e projekteve ekzistuese të ndërtimit, sepse ndërkohë janë imponuar standarde të reja për ndërtim, pajisje dhe të ngjashme, si dhe për uljen e kostove përmes heqjes së disa pozicioneve që nuk do të ndikojnë në funksionalitet. U krye analizë e konstruksioneve, duke pasur parasysh se ndërtimi ka qenë i bllokuar për disa vite, konkretisht që nga viti 2019”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Nga Ministria shtojnë se javën e ardhshme do të shpallet thirrje për riprojektim, përkatësisht për hartimin e projekteve të reja të ndërtimit, pas së cilës do të vijojë edhe procedura për përzgjedhjen e një kontraktori të ri.
Parashihet që të dy objektet të lidhen me një urë, në interes të realizimit më cilësor të studimeve ndërdisiplinore. Objektet nuk do të kenë fasadë baroke, por moderne.
Ndërtimi i këtyre dy objekteve brenda kampusit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) filloi në vitin 2015, ndërsa u ndërpre në vitin 2019, kur kontraktori “Beton Shtip” shkoi në falimentim. Që atëherë ndërtesat nuk janë prekur dhe edhe ajo që ishte ndërtuar është dëmtuar. Gjatë erërave më të forta fluturojnë copa llamarine dhe materiale të tjera nga ndërtesat.
Sipas kontratave të nënshkruara për realizimin e projekteve në vitin 2015, FSHIIK duhej të kushtonte 784 milionë denarë, por janë realizuar ose paguar vetëm 40 për qind, përkatësisht 110 milionë denarë. Fakulteti i Edukatës Fizike, Sportit dhe Shëndetit duhej të kushtonte 432 milionë denarë, ndërsa realizimi i projektit është 16,9 për qind, ose janë paguar 73 milionë denarë.
