Shkup, 2 janar – Maqedonia e Veriut hyn në këtë vit me një barrë të rëndë financiare, politike dhe institucionale, duke e kthyer fillimin e vitit në një test serioz për qëndrueshmërinë e shtetit dhe besueshmërinë e pushtetit. Sfida nuk mungojnë përkundrazi, ato janë të grumbulluara dhe të ndërlidhura mes vete, tani në vazhdim do të shtjellojmë disa prej sfidave kryesore që e presin vendin përgjatë vitit 2026, apo siç shquhet si vit i ri, që në fakt vendi edhe në këtë vit po hyn i shoqëruar me probleme të vjetra e të së kaluarës, shkruan Zhurnal.
1 Janari pa para shteti nis vitin me mungesë 700 milionë euro –
Sfida e parë dhe më urgjente është buxheti. Qysh në ditën e parë të vitit, shteti përballet me një mungesë prej rreth 700 milionë eurosh, një hendek financiar që rrezikon funksionimin normal të institucioneve, pagesat sociale, investimet publike dhe stabilitetin makroekonomik. Që në fakt edhe ashtu janë shkrutuar mjete buxhetore për një numër të madh të institucioneve.
Ky deficit nuk është thjesht problem shifrash është sinjal alarmi për menaxhimin fiskal, për varësinë nga huamarrja dhe për mungesën e planifikimit afatgjatë. 2026 do të tregojë nëse qeveria ka kapacitet të menaxhojë krizën financiare pa e paguar çmimin qytetari i zakonshëm.
Premtime nën presion viti i tretë i qeverisjes –
Sfida e dytë lidhet drejtpërdrejt me kredibilitetin politik. Qeveria hyn në vitin e tretë të mandatit të saj një fazë ku justifikimet mbarojnë dhe rezultatet bëhen të domosdoshme. Premtimet e dhëna në fillim të mandatit tani janë nën vëzhgimin e opinionit publik, rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i shërbimeve publike dhe standardit jetësor.
2026 do të jetë vit vendimtar për të parë nëse kjo garniturë qeveritare është në gjendje të realizojë atë që ka premtuar, apo nëse do të mbetet peng i kompromisit politik dhe krizave të njëpasnjëshme. Sepse, nuk u tolerohet më akoma të akuzojnë opozitën.
Zgjedhjet e parakohshme mbeten si dilema që rëndon situatën politike –
Një nga sfidat më të përmendura dhe më destabilizuese potencialisht janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Diskutimi për to tashmë është pjesë e përditshme e debatit publik, duke krijuar pasiguri politike dhe duke paralizuar vendimmarrjen.
Zgjedhjet mund të jenë zgjidhje, por mund të jenë edhe problem shtesë sidomos në një vit me krizë buxhetore dhe sfida evropiane. Pyetja thelbësore mbetet se a do të përdoren zgjedhjet si mjet për dalje nga kriza, apo si alibi për mosmarrje përgjegjësie?
Sfida mbi të gjitha sfidat mbetet ndryshimet kushtetuese –
Pa dyshim, sfida më e rëndësishme e vitit 2026 janë ndryshimet kushtetuese. Ato nuk janë thjesht një kërkesë politike, por çelësi që hap ose mbyll rrugën e integrimit evropian. Pa konsensus për këto ndryshime, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet i bllokuar, ndërsa zhgënjimi qytetar thellohet.
Kjo sfidë kërkon maturi politike, dialog real dhe guxim kështu që çdo kalkulim partiak në këtë pikë ka kosto strategjike për të ardhmen e vendit. 2026 nuk është vit për improvizime e as për prova është vit që kërkon vendime të vështira, përgjegjësi politike dhe qartësi strategjike. Nga buxheti te reformat, nga zgjedhjet te Kushtetuta çdo hap do të ketë pasoja afatgjata.
Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut hyn në këtë vit në një udhëkryq ose do ta shfrytëzojë krizën si mundësi për konsolidim dhe orientim evropian, ose do të humbasë edhe një vit tjetër duke u rrotulluar në vend pa ndryshuar asgjë dhe shumë largë zhvillimit e progresit kolektiv. /Zhurnal.mk
