Farmacistët, ndryshime të reja në protokollet dhe shërbimet

nga Xh M

Shkup, 13 nëntor – Në sistemin shëndetësor po përgatiten ndryshime të rëndësishme që do t’i japin farmacistit rol më aktiv në kujdesin ndaj pacientit. Këto ndryshime pritet të ndihmojnë në përmirësimin e terapisë dhe në parandalimin e përdorimit të panevojshëm të barnave, në bashkëpunim të ngushtë me mjekët amë.

Biljana Bozhinovka nga Shoqata e Farmacistëve Privat thekson se farmacistët që do t’i përmbahen protokolleve të reja duhet të jenë të gatshëm të ndërhyjnë në mënyrë profesionale edhe në përmbajtjen e recetave, në interes të pacientit.

“Farmacisti duhet të ndihmojë pacientin të kuptojë simptomat që ndoshta nuk kërkojnë terapi simptomatike, por kontroll mjekësor. Ai duhet të vërejë nëse pacienti ka terapi të tepruar apo nëse ilaçi që përdor nuk ka efektin e duhur. Çdo vërejtje e tillë do të regjistrohet në dosjen e veçantë të farmacisë, në mënyrë që përmes këtij projekti të bëhemi pjesë e sistemit “Termini im”.”, – deklaroi Biljana Bozhinovka nga Shoqata e Farmacistëve Privat.

Nga ana tjetër, Vesna Starova, kryetare e Odës së Farmacistëve, thekson se këto risi nuk do të krijojnë pengesa në funksionimin e shërbimeve të tjera shëndetësore, por do të jenë një shtesë e dobishme për sistemin.

“Me futjen e diçkaje të re në sistemin tonë shëndetësor nuk do të ketë problem me shërbimet e tjera që i ofrojnë punonjësit e tjerë shëndetësorë. Lista e shërbimeve, si dhe rregullorja për hapësirën dhe kushtet që duhet të plotësojë barnatorja, tashmë janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo do të thotë se vetëm barnatoret që i plotësojnë këto kritere do të mund të ofrojnë shërbime farmaceutike shëndetësore.”, – theksoi kryetarja e Odës së Farmacistëve, Vesna Starova.

Sipas institucioneve përkatëse, qëllimi i këtij projekti është të forcohet bashkëpunimi ndërmjet farmacistit dhe mjekut, të përmirësohet efikasiteti i terapisë dhe të sigurohet kujdes më i personalizuar për pacientët.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More