Georgieva: Shqipëria mes vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë

nga D. V.

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva u shpreh se Shqipëria renditet mes vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë.

Deklarata e drejtueses së FMN-së, erdhi gjatë aktivitetit të organizuar sot me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë. Në këtë aktivitet, të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave Petrit Malaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si edhe akademikë, ekonomistë dhe ekspertë nga Shqipëria e shtete të huaja.

Georgieva theksoi se ky përvjetor i Bankës së Shqipërisë nuk përbën vetëm një rast për të festuar jetëgjatësinë e institucionit, por edhe një testament të reformimit të qëndrueshëm të institucionit dhe vizionit të tij.

“Nga themelimi në vitin 1925, duke kaluar nëpër dekada nga transformimi, standardi i arit, planifikimi i centralizuar dhe objektivi bashkëkohor i shënjestrimit të inflacionit, Banka e Shqipërisë ka pasqyruar evoluimin e shtetit shqiptar. Vendi është përballur me ndryshime politike, goditje ekonomike dhe ndikime të zhvillime globale”, tha ajo.

“Duke pasur në krahë Bankën e Shqipërisë, gjithmonë të përkushtuar për të ruajtur stabilitetin dhe besueshmërinë e publikut. Sot, Shqipëria renditet mes vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë, testamenti i progresit të palëkundur dhe qëndrueshmërisë gjithnjë në rritje. Në këtë arritje, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç, falë angazhimit ndaj politikave monetare të qëndrueshme, kuadrit rregullativ dhe transparencës institucionale”, vijoi drejtoresha e FMN-së.

Georgieva theksoi në videomesazhin e saj, se ky përkushtim ka shërbyer për mirë në kohë të trazuara, duke forcuar stabilitetin financiar dhe besimin e publikut.

“Reagimi ndaj krizës botërore financiare të rritjes së kredive me probleme apo ndërmarrja e operacioneve të shpejta dhe të shënjestruara gjatë pandemisë. Banka ka hedhur një themel të fortë për rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e vendit. Rrugëtimi i Shqipërisë na ofron një mësim kyç se pavarësia ekonomike e bankave qendrore është shumë më tepër se një teknikalitet, ajo është gur themeli i qëndrueshmërisë kombëtare. Bankat qendrore të pavarura janë të përqendruara më mirë për të ruajtur stabilitetin financiar, për të mbrojtur integritetin financiar dhe për t’iu përgjigjur krizave”, tha Georgieva.

“Përvoja e Shqipërisë e ilustron qartë këtë realitet. Pavarësia nuk mund të merret si e mirëqenë. Ajo duhet mbrojtur dhe kultivuar. Kjo kërkon mandat të qartë dhe kuadër ligjor të qartë, transparencë, llogaridhënie dhe komunikim me publikun”, pohoi ajo.

Në fund të videomesazhit, shefja e FMN-së u shpreh se me vështrimin nga e ardhmja, Shqipëria përballet me sfida si fragmentimi gjeopolitik në rritje, transformimi digjital, roli i Inteligjencës Artificiale dhe zhvendosja demografike.

“Shqipëria është e vendosur që t’i bashkohet BE-së dhe vendi ka bërë përparime të qëndrueshme drejt këtij objektivi. Banka e Shqipërisë ka një rol thelbësor të përkushtuar dhe me vizion të qartë në këtë rrugë sfiduese, për të mbështetur vendin në shfrytëzimin e mundësive që ofron anëtarësimi në BE. FMN do të vijojë të jetë partnere e palëkundur në këtë udhëtim duke mbështetur Shqipërinë lidhur me politikat, kërkimin dhe zhvillimin e kapaciteteve”, tha Georgieva.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More