Shkup, 13 nëntor – Katër ndërmarrje publike nën kompetencë të Qytetit të Shkupit do të marrin ushtrues të rinj detyre drejtorësh, njoftoi sonte kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Në ndërmarrjen publike “Rrugë dhe rrugica” drejtor do të emërohet Boris Nastov, i cili e ka ushtruar këtë funksion edhe në fillim të mandatit të ish-kryetares Danella Arsovska. Ndërsa në “Ujësjellës dhe Kanalizim” do të emërohet Ivan Mitrovski, ish-nënkryetar i komunës së Kisella Vodës.
Sipas Gjorgjievskit, në Ndërmarrjen Publike të Transportit – JSP Shkup, drejtor do të caktohet Sashe, punonjës me shumë vite përvojë në këtë ndërmarrje, që i njeh mirë proceset dhe punën.
Në “Higjienën Komunale” do të vendoset Dragi, një njeri me karrierë të gjatë në sektorin komunal të Qytetit të Shkupit, i cili – siç tha kryetari – është treguar shumë i suksesshëm gjatë aksionit “72 orë”.
Gjorgjievski theksoi se drejtuesit e rinj do të kontribuojnë në stabilizimin dhe përmirësimin e punës së ndërmarrjeve publike, duke hedhur poshtë zërat për ndonjë privatizim të tyre.
“Do të punojmë për forcimin e kapaciteteve dhe për t’i bërë ndërmarrjet publike vetëqëndrueshme. Faturat për qytetarët nuk do të shtrenjtohen – këtë e kam premtuar në fushatë,” deklaroi Gjorgjievski.
