Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja takoi në Dubai, ministrin e Sporteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, H.E. Ahmad Belhoul Al Falasi.
Homologët diskutuan mbi mundësitë për të forcuar diplomacinë sportive dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fushën e sporteve elitare, eventeve ndërkombëtare dhe infrastrukturës sportive.
Ministri Gonxhja u shpreh se, Emiratet janë një model frymëzues në mënyrën se si sporti shndërrohet në instrument zhvillimi, diplomacie dhe promovimi global, eksperiencë që mund të shërbejë si shembull edhe për ambicien e Shqipërisë për t’u pozicionuar si destinacion i ri për ngjarje sportive ndërkombëtare.
“Qëllimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë partneritete konkrete, të hapim rrugën për investime të reja dhe të zhvillojmë iniciativa që e shndërrojnë sportin në një urë të qëndrueshme bashkëpunimi, zhvillimi ekonomik dhe përfshirjeje rinore mes Shqipërisë dhe Emirateve”, tha kreu i MTKS-së.
