Shkup, 16 tetor – Maqedonia e Veriut por edhe rajoni në tërësi vazhdimisht marrin ndihma nga BE dhe shtete të tjera përmes të cilave ndihma rigjallërojnë ekonomitë e vendeve. Por, ndihmat që vijnë duhet të shfrytëzohen edhe për një zhvillim më të qëndrueshëm, që mos të jenë me efekt të përkohshëm. Ajo që duhet ta bëjë vendi për qytetarët e saj është krijimi i kushteve normale për jetesë, dhe kjo bëhet duke filluar me sigurimin e funksionimit të institucioneve në kushte normale, si dhe krijimi i një mirëqenie sociale për gjithë qytetarët e vendit pa dallim. Investimet e huaja në vend duhet të kërkohen e të jenë të mirëseardhura, ndihma ndaj sektorit privat është e domosdoshme, sepse nëpërmjet kësaj zbutet papunësia dhe hapen vende të reja të punës. Rritja e pagave është e patjetërsueshme sidomos gjatë kësaj periudhë krize. Prandaj, nuk mjaftojnë vetëm ndihmat nga jashtë por duhet edhe një mobilizim dhe përgjegjësi prej brenda shtetit, shkruan Zhurnal.
Cili prej shteteve është përfituesi më i madh i fondeve të BE-së?
Bashkimi Evropian është shumë afër t’i përmbyllë procedurat e miratimit të agjendave të reformave, të cilat i kanë paraqitur vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh. Përfituese të Planit – që u miratua nga BE-ja në maj – janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.
Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) dha më 11 tetor pëlqimin final për vetëm pesë nga gjashtë vendet, që i kanë paraqitur agjendat e reformave dhe rritjes. I vetmi vend i rajonit, i cili nuk mund të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
Komisioni Evropian pritet që më 16 tetor ta miratojë vendimin për zbatim.Në këtë mënyrë, Komisioni Evropian do të jetë i gatshëm nga ana e tij që t’i kryejë edhe pagesat e para nga paketa në fjalë. Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.
Ndaj, vendet përfituese duhet t’i ratifikojnë marrëveshjet, pasi që duhet të obligohen për kthimin e parave nga kreditë e favorshme. Për shkak të procedurave që kërkojnë kohë për miratimin e marrëveshjeve të tilla, është vështirë të parashihet koha se kur do të bëhen pagesat e para dhe për cilin vend të rajonit. Realisht, ato mund të bëhen në fillim të vitit 2025, por nëse ndonjë vend nxiton dhe e kryen më herët procedurën e ratifikimit të marrëveshjeve, atëherë këto mjete do të mund të paguhen më herët. Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.
Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme. Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Shqipëria do të mund të përfitojë në total 922 milionë euro, ndërsa si mjete “parafinancuese” 64.5 milionë. Maqedonia e Veriut do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 52.5 milionë. Serbisë do t’i ndaheshin gjithsej 1.58 miliard euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 111 milionë. Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë euro, ndërsa si “parafinancim” 26.8 milionë. Bosnje e Hercegovina, nga totali i planit, do të kishte në dispozicion 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa si “parafinancim” 76 milionë. Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera. Këto shifra i kanë analizuar Radio Evropa e Lirë.
Sa e ndihmojnë vendin ndihmat nga jashtë përderisa vendi përbrenda ka stagnuar?
Ndihmat që vijnë nga jashtë sidomos nga Bashkimi Evropian janë infuzion për vendin që gjatë çdo situate kritike e thellimit në kriza të ndryshme, këto ndihma hapin rrugën drejtë përballimit dhe tejkalimit në mënyrë sa më të lehtë të mundshme. Por, nuk janë të mjaftueshme këto ndihma për t’ia përmirësuar standardin e jetës qytetarëve sepse nevojitet edhe një zhvillim i brendshëm ekonomik që garanton mirëqenie dhe stabilitet financiar. Hapjen e mundësive për investime nga jashtë, si dhe zgjatja e dorës ndaj sektorit privat gjë që ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës si dhe zbutjen e papunësisë.
Krahas, shpenzime të rritura edhe pagat minimale në harmonizim me pagat tjera duhet të rriten në të kundërtën, poqë nuk u rriten pagat do të rritet dëshpërimi i qytetarëve. Posaçërisht të rinjve që nuk do vendosin të vazhdojnë të mbijetojnë në këtë vend me gjithë këto vështirësi, por do të zgjedhin të largohen e ta braktisin vendlindjen në kërkim të një jete normale, madje jo një jetë më të mirë sepse këtu nuk e kanë fare mirë. Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.
Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme. Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk