Mexhiti: Ne nuk jemi zagarë, jemi shqiptarë me dinjitet

nga Xh M

Shkup, 30 shtator – Kandidati për komunën e Çairit dhe njëri prej liderëve të koalicionit VLEN, në fjalimin e tij gjatë konventës promovuese për zgjedhjet lokale, u shpreh prerë për identitetin dhe linjën politike që do të ndjekë në garën elektorale.

“Ne nuk jemi zagar, ne jemi shqiptar; jo, nuk jemi as hyzmeqarë, as gënjeshtarë. Jemi njerëz me dinjitet,” deklaroi ai, duke theksuar se sjellja dhe qëndrimet e tij nuk lidhen me interesa të fshehta apo koncesione që dëmtojnë komunitetin.

Në apel ndaj qytetarëve ai tha: “Nuk ua kthejmë prej burrnisë, jo prej tutës. Shkujani nuk tutet, kur e kërkon nevoja, e braktis qeverinë e del në mejdan.”

“Jo, nuk jemi tradhtarë; nuk e mbështesim Open Balkanin, nuk e njohim Daka Davidoviqin, nuk i kemi shitur akcione Bankës Serbe. Nuk i kemi sjellur kazinotë serbo-ruse në vendbanimet shqiptare.”, deklaroi më tej Mexhiti.

Fjalimi integral i kandidatit për kryetar të Komunës së Çairit Izet Mexhiti në konventën e sontme

Të dashur aktivistë, anëtarë dhe simpatizantë të koalicionit të ndryshimit – VLEN, perfaqesues i Levizjes VETEVENDOSJE.

Të nderuar udhëheqës të koalicionit, Motra e vëllezër,

Sonte jemi mbledhur jo thjesht për një konventë partiake, por për një betejë morale, për një referendum politik, për një mision kombëtar!

Ekziston një rregull bazë në politikë: mos përdor frikësimin, mos përdor gjuhën e urrejtjes, mos përçaj! Sepse politika nuk është luftë për pushtet personal, por është shërbim ndaj qytetarëve, është përgjegjësi ndaj brezave!

Prandaj, ndaj atyre që sot e kanë mbushur fushatën me frikë, me përçarje dhe me arrogancë – kam vetëm një mesazh:

MOS PËRDOR FRIKËSIMIN – SEPSE SHQIPTARI NUK TUTET!

MOS PËRDOR GJUHËN E URREJTJES – SEPSE SHQIPTARI NUK URREN SHQIPTARIN!

MOS PËRÇAJ – SEPSE SHQIPTARIN NUK E PËRÇAN DOT, SADO TË PËRPIQESH!

Gjatë këtyre ditëve, kam marrë mesazhe nga çdo cep i vendit, por edhe nga diaspora jonë krenare.

Dhe të gjitha këto mesazhe bartin një ndjenjë të përbashkët: ZHGËNJIMIN!

Zhgënjim nga ata që një vit më parë kërcënonin se me “uragan” do të na rrafshonin me tokë, që shëtisnin me valixhe nëpër Çair si padronë, që e quajtën Çairin Kandahar, ndërsa sot, me të njëjtën arrogancë, guxojnë t’i quajnë shqiptarët zagarë!

Por unë dua t’ju them: NUK PO UA KTHEJMË PREJ BURRNISË, E JO PREJ TUTËS, SEPSE SHKUPJANI NUK TUTET, KUR E LYP NEVOJA, SHKUPJANI E LEN QEVERINE E DEL NË MEJDAN!

Prandaj po ju them:

JO, ne nuk jemi zagarë – NE JEMI SHQIPTARË!

JO, ne nuk jemi as hyzmeqarë, as gënjeshtarë – NE JEMI NJERËZ ME DINJITET!

JO, ne nuk jemi tradhëtarë – NUK E MBËSHTESIM OPEN BALKAN-in, NUK E NJOHIM DAKA DAVIDOVIQIN, NUK I KEMI SHITË AKSIONE BANKËS SËRBE, NUK I
KEMI SJELLË KAZINOT SERBO- RUSE NË MESIN E SHQIPTARËVE, NUK I KEMI LEGALIZUAR KREDITË E SHPEJTA TË MILLAN RADOJÇIQIT!

JO, ne nuk jemi vazalë – NE NUK VRAPOJMË TEK DHOMA 161 PËR T’U LUTUR TË JEMI NË QEVERI PA ASNJË KUSHT DHE ASNJË KËRKESË!

JO, ne nuk shkojmë në Budapest për të negociuar me Gruevskin – NE NUK KEMI ASNJË BORXH NDAJ MIJALLKOVIT!

NE PER 1 VIT KEMI SJELL LIGJIN PER PERFAQESIM ADEKUAT, KEMI SJELL LIGJIN PER MEDRESENE ISA BEU, KEMI SJELL LIGJIN PER MBYLLJEN E KAZINOVE, KEMI PUNESUAR MIJERA SHQIPTARE, KEMI FUQIZU SI ASNJEHERE ME PARE SHTYLLEN E MARREVESHJES SE OHRIT, DECENTRALIZIMIN.

PRANDAJ PO PUNOHET CEP ME CEP TE VENDBANIMEVE SHQIPTARE!

NE I DUAM KOMUNAT!

NE I PEKRAHIM KOMUNAT!

NE I MERITOJME KOMUNAT, PRANDAJ DO TI FITOJME KOMUNAT!

Ata që ishin shërbëtorët më besnikë të pushtetit, herë me VMRO-në e Gruevskit e herë me LSDM, ata që legalizuan krimin, ata që fituan vend nderi në listën e zezë të SHBA-ve, janë sot ata që guxojnë të na flasin për patriotizëm.

Ata pranuan moratoriumin per ceshtjen shqiptare!

Ata e ndryshuan Kodin Penal për t’i hapur rrugën e kthimit Gruevskit!

Ata shfrytëzuan pushtetin për të pastruar paratë e Mijallkovit!

Ata ndërhynë me dy këmbë në gjyqsor për të shpëtuar Gruevskin, derisa shqiptarëve u montoheshin raste!

Ata pranuan të mos përmendin UÇK-në, sepse ua ndaloi padroni!

Dhe sot, pikërisht ata kanë fytyrën të flasin për Shqiponjën dhe Zagarin! MARRE!

Të dashura motra e vëllezër, unë nuk do të ofendoj askënd! Por kam të drejtë të bej pytje:

A ishte ky çmimi që shqiptarët duhej ta paguanin që ju ta bleni SORAVINË?

A ishte ky çmimi që shqiptarët duhej ta paguanin që ju te beheni bashkëpronarë ne biznesin e kazinove me nëntoken serbe?

A ishte ky çmimi që shqiptarët duhej ta paguanin që ju te beheni aksionar në bankën serbe?

Shqiptaret kane pasur lloj lloj liderësh. Por liderë që tregtojnë me kauzën kombëtare për biznes interese të Serbisë, kjo nuk mbahet mend!

Ju nuk ishit në krah të popullit – ju ishit në kolltuqet qeveritare, duke bërë pazare dhe pasuri të paligjshme! Ne, koalicioni VLEN që flet ME NJË ZË, jemi ndryshe: ne nuk do të rrijmë kurrë në një qeveri e cila vret shqiptarët; nuk do të amnistojmë asnjëherë Nikolla Gruevskin as Shasho Mijallkovin; ne nuk do të bëjmë asnjëherë pazare me çështjen shqiptare dhe të drejtat e shqiptarëve! Për këtë rrini rahat se nuk ka për të ndodhë kurrë!

Të dashur qytetarë,

Kë kemi përballë në këto zgjedhje? Përballë kemi një model hibrid parapolitik, një përzierje të çuditshme mes politikanëve me afat të skaduar dhe të tjerëve që ende kërkojnë një vend në diskursin politik.

Është një gërshetim joparimor interesash të mbështjellë pas shkurtesës më të re – AKI, Aleanca e Kundërshtarëve për Interes. Jo rastësisht për një vit e pak muaj ata e ndryshuan emërtimin dhe përbërjen disa herë, vetëm për të fshehur një të vërtetë të hidhur: se pas gjithë kësaj “aleance” fshihet frika nga emri BDI. Dikur simbol krenarie, sot ky emër është shndërruar në simbol të korrupsionit endemik: SORAVIA, LLOTARIA, AS SENJAK, këto janë arsyet e vërteta prapa koalicionit AKI! Dhe prandaj ne do t’i fitojmë në zgjedhje dhe do t’i demaskojmë aferat e tyre!

Brenda strukturës AKI, protagonistët nuk flasin as mes vete, por qëndrojnë aty të kapur, me hesapet e tyre të papastërta dhe me hipoteka të pashlyera ndaj “liderit suprem”. Prandaj ne do t’i mundim fort në zgjedhje!

“Lideri suprem” i AKI -së jeton në iluzion, i duket vetja i përjetshëm në fron. Ai flet e sillet si sundimtar, duke lavdëruar bashkëpunëtorët në publik dhe duke u ngritur kurthe pas shpine. Një model i dështuar që nuk ka as vizion, as drejtësi, as moral politik – vetëm interesa të ngushta personale, të cilat i kanë mbajtur peng shpresat e qytetarëve për kaq shumë vite. Prandaj, në këto zgjedhje ne do t’i fitojmë- jo do t’i fitojmë, do t’i deklasojmë!

Të nderuar të pranishëm,

Vërtetë, këto zgjedhje nuk janë zgjedhje të zakonshme. Sepse këtë herë nuk votojmë vetëm për një kandidat, por për të ndarë një herë e mirë politikën e moralit nga politika e pazareve!

Votojmë për t’i dërguar në pension politik shokët e Artan Grubit!

Votojmë për t’i demaskuar njëherë e mirë ideologët e VALIXHEVE, KAZINO-politikën dhe SORAVIA- patriotët!

Dhe në fund, dy fjalë për “doktorin e Tik-Tokut”, Bujar Osmanin. Nuk e fiton respektin dhe përkrahjen e Çairit duke qëndruar më afër Zajazit dhe më së paku në Çair, duke kërcyer nga Çarshia në Beograd, nga lidhjet “live” në fejsbuk tek darkat e fshehta në Budapest. Sepse Çairi nuk është trampolinë për politikanë kamikazë! Çairi nuk e don arrogancën, dhe e dënon prepotencën!

Çairi nuk është pistë për eksperimente politike!

Çairi është burrni, Çairi është nder, Çairi është krenari!

Në emër të dinjitetit tonë kombëtar, në emër të së ardhmes sonë europiane, në emër të drejtësisë dhe barazisë:

Të ngrihemi të gjithë – dhe më 19 tetor të fitojmë!

Rruga jonë është VLEN – dhe VLEN për çdo shqiptar!

Zoti e bekoftë popullin shqiptar!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More