Shkup, 12 janar – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, në të cilin u bisedua për gjendjen aktuale dhe perspektivat e bashkëpunimit bilateral në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Siç bëri të ditur Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hoxha dhe Qehaja “vlerësuan marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve”.
“Ata theksuan rëndësinë e dokumenteve ekzistuese dhe iniciativave të përbashkëta, përfshirë Memorandumin e Mirëkuptimit të vitit 2012 për bashkëpunim në fushën e mjedisit, Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik, si dhe iniciativën rajonale ‘Vizioni i përbashkët për Malin e Sharrit’, e cila synon mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura ndërkufitare. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar, si dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe ekonomike që kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve”, njoftoi MMJPH.

Ministria shton se në takim u shpreh “interes i përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme, duke përfshirë edhe rishikimin e Memorandumit ekzistues ndërmjet dy shteteve”.
“Hoxha dhe Qehaja riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore”, bëhet e ditur në kumtesë.
