I gjithë territori i qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar shoqëruar me erë.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji bëri të ditur sot për ATSH-në se “si rezultat i kushteve të motit disa akse rrugore nacionale kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve, këto më të theksuara në akset rrugore nacionale Tropojë”.
Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve nacionale në ato segmente ku janë shfaqur problematika.
Sipas tij, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.
Baji tha se “nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente”.
Ndërkohë që i gjithë qarku furnizohet me energji elektrike përveç fshatrave Pla, Shullan, Gjonaj, Shëngjergj, Lëkurtaj në njësinë administrative Fierzë dhe njësinë administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë.
Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.
