Shkup, 8 tetor – Studimet tregojnë se sa më shumë kohë që kalojnë adoleshentët në rrjetet sociale, aq më i dobët është shëndeti i tyre mendor. Problemi është më i theksuar për vajzat, të cilat kalojnë gjithashtu shumë më tepër kohë në mediat sociale sesa djemtë, duke shpjeguar edhe përkeqësimin më të madh të shëndetit mendor të vajzave sesa djemve. Telefonat celularë janë një teknologji që tashmë është pjesë e përditshmërisë sonë, edhe për një pjesë të madhe të fëmijëve. Ndikimi mund të jetë i mirë në shumë aspekte, por ka edhe dobësi të tjera. Ekspertët apelojnë që qëndrimi apo shikimi në ekran të zëvendësohet me doracakë të ndryshëm të ilustruar me fotografi dhe me lexim të tregimeve për fëmijë. Sepse, dita ditës po shtohen problemet me fëmijët dhe kjo nuk po vjen befasisht por si pasojë e prindërimit të papërgjegjshëm, të cilët duke vrapuar pas karrierës apo punës po lënë fëmijët në harresë. Nuk përfundon gjithçka në momentin që bëheni prind, pikërisht aty fillon kujdesi që të jetë serioz dhe me përgjegjësi, sepse pasojat janë të pariparueshme si për fëmijët ngjashëm edhe për të rinjtë, shkruan Zhurmal.
Beteja mes botës reale dhe virtuale ashpërsohet, duhet ekranet të zëvendësohen me tregime për fëmijë –
Gjithnjë e më i madh është numri i fëmijëve, të cilët përballen me pengesa në zhvillim. Në vend gjithnjë e më shumë kërkojnë ndihmë prindërit e fëmijëve me probleme në të folur dhe zhvillimit të komunikimit, por edhe me probleme të interaksionit social, si dhe koncentrimit. Ekspertët thonë se në zhvillimin e fëmijëve ndikojnë faktorë të ndryshim, si gjenetika, karakteristikat personale, por edhe mjedisi në të cilin fëmija rritet si dhe shfrytëzimi jo adekuat i teknologjisë dhe qëndrimi i gjatë para ekraneve që nga mosha shumë e vogël.
“Tabletët atyre do iu ofrojë shumë ngjyra, shumë zëra. Do t’i stimulojë dhe me telefon në dorë mund të qëndrojnë me orë të tëra. Shumë shpesh ndodhë që fëmijët të mos dinë të vejnë kontakt social, gjegjësisht mos të dinë të shoqërohen.”, tha Simona Trajkovska, defektologe.
Trajkovska thotë se nuk është kundër shfrytëzimit të teknologjisë, shfrytëzimi i së cilës mund të jetë edhe i dobishëm. Megjithatë prindërit patjetër duhet të kenë nën kontroll kohën, të cilën fëmijët e kalojnë para ekraneve.
“Po që se fëmija shikon në telefon, përmbajtja duhet të jetë në gjuhën amtare. Të gjithë jemi rritur me filma vizatimorë. Të gjithë kemi shikuar filma vizatimor, gjithsesi se ajo është e lejuar. Ajo duhet të jetë në një kohë të kufizuar dhe të jetë në gjuhën amtare ashtu që prindëri ta shpjegojë përmbajtjen e tij. Për shembull, çfarë ndodhë në vet filmin vizatimor të ketë shkak dhe pasojë dhe jo vetëm të kalojnë disa fotografi të cilat fëmija nuk i kupton.”, tha Trajkovska.
Mungesë e dukshme e aktivitetit fizik –
Dukuri tejet shqetësuese po konsiderohet të jetë rënia e interesimit për aktivitet fizik për fëmijët në shkolla fillore dhe të mesme dhe kjo lehtë është e faktuar nëse bëhen matje adekuate për sa i përket nivelit të aktivitetit fizik që zhvillojnë këto grup mosha.
Si rezultat u hulumtimeve dhe rekomandimeve që kanë dal nga hulumtimet e bëra nga profesorë të ndryshëm, por edhe nga institucionet kredibile, konsiderojmë që duhet të fillojmë nga cikli i ulët që është nga klasa e parë, pa përjashtuar edhe ata në parashkollor, por së paku që një profesor i Edukatës Fizike të jetë edhe në ciklin e ulët të mesëm, por edhe në shtimin e orëve të edukimit fizik sepse konsiderojmë që dy orë janë pak në edukim fizik dhe fillimisht ishte dashur të synohet një shoqëri aktive dhe me potencial për sportin, të ketë tri orë edukim fizik.
Sepse, shtimi i aktivitetit fizik tek të rinjtë është shtysë kryesore për distancim për një kohë të caktuar nga teknologjia e cila është pjesë e pandashme e të rinjve. Aktiviteti i shtuar fizik ndikon dukshëm edhe në shëndetin edhe në mënyrën e funksionimit, organizimit të ditës e gjithçka tjetër. Vetëm nga fëmijët që i nënshtrohen një intensiteti të lartë fizik mund të presim një të ardhme të shëndoshë.
“Pasiviteti fizik tek fëmijët për shkak të mundësive të reduktuara për mjedise të sigurta jetese të cilat promovojnë lojë aktive dhe lëvizje të fëmijëve, sjellin më pak lëvizje dhe përdorim të pajisjeve elektronike, si aspekt kyç të obezitetit: afërsisht 40 përqind e fëmijëve të moshës gjashtë deri në nëntë vjeç kalojnë kohën para televizionit ose përdorin pajisje elektronike për më shumë se dy orë në javë, më shumë se gjysma – 63 për qind lëvizin në mënyrë aktive nga dhe prej shkollës, në këmbë ose me biçikletë”, theksojnë nga OBSH-ja.
Karakteret socio-eknomike të familjeve të fëmijëve dhe disponueshmëria e ushqimit brenda dhe rreth mjedisit shkollor, siç shtohet në kumtesë, ndikojnë në zakonet e të ushqyerit tek fëmijët.
“Gjithsej 32 për qind e fëmijëve nga mosha gjashtë deri në nëntë vjeç konsumojnë pije joakoolike me sheqer më shumë se tre ditë në javë. Gjysma e fëmijëve konsumojnë ushqime të pasura me sheqer më shumë se tre ditë në javë dhe 8.4 për qind e tyre më shumë se një herë në ditë. Vetëm 24 për qind e fëmijëve konsumojnë fruta të freskëta çdo ditë, ndërsa 21 për qind konsumojnë perime të freskëta”, bën të ditur OBSH-ja.
Sipas të dhënave, 30.5 për qind e fëmijëve nga gjashtë deri në moshën nëntë vjet në vend jetojnë me peshë të shtuar trupore ose obezitet, 13.8 për qind e tyre jetojnë me obezitet ose obezitet ekstrem. Nga Instituti i Shëndetit Publik theksojnë se tendencat e rritjes së peshës trupore dhe obezitetit tek fëmijët në vendin tonë mbahen në nivele të larta të qëndrueshme.
“Nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse dhe multifunksionale ndaj obezitetit, që nga prioriteti i faktorëve mjedisor që ndikojnë në obezitet, deri te forcimi i kujdesit shëndetësor për parandalimin dhe kontrollin e obezitetit si sëmundje kronike, theksojnë nga ISHP-ja.
Ushqyerja dhe përmbajtja e ushqimeve sot duhet të jenë temë kryesore e kujdesit për shëndetin e secilit prej nesh. Pasi jemi futur në labirthe kur për gjithçka interesohemi e brengosemi por vetëm për atë se çfarë ushqimesh na servohen në tavolinë, sa herë brenda ditës ushqehemi e të tjera gjëra që janë shumë të rëndësishme për shëndetin tonë, por neglizhenca dhe pakujdesia i fut në sirtarin e gjërave të parëndësishme.
E kjo sigurisht nuk kalon pa pasoja por për fat të keq pasojat dhe simptomat e para janë shfaqen më vonë, atëherë kur ndryshimet në fakt deformimet shfaqen në fizikun tonë. Obeziteti te të rriturit dhe fëmijët në Maqedoninë e Veriut është në nivel të lartë, njofton Instituti për Shëndet Publik (ISHP). Kjo dëshmon që obeziteti nuk duhet të jetë vetëm shqetësim por të shihet si rrezik dhe kërcënim për shëndetin tonë në mënyrë që të merren masa adekuate. /Zhurnal.mk