Projekti SENE3 – “Mbështetja e Zbatimit të Sistemeve Rajonale të Menaxhimit të Mbeturinave në Rajonin Lindor dhe atë Verilindor” të Maqedonisë së Veriut synon të ndihmojë vendin në krijimin e një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm rajonal të menaxhimit të mbeturinave. I financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit IPA II, ai mbështet komunat, ndërmarrjet publike komunale dhe qendrat rajonale të menaxhimit të mbeturinave përmes ndërtimit të kapaciteteve, asistencës teknike dhe fushatave të ndërgjegjësimit publik. Projekti promovon grumbullimin efikas të mbeturinave, riciklimin dhe reduktimin e sasisë së mbeturinave, duke kontribuar në rajone më të pastra, shërbime publike të përmirësuara dhe mbrojtje më të fortë të mjedisit jetësor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Një mënyrë më e pastër dhe më e organizuar e menaxhimit të mbeturinave po mbërrin më në fund në Rajonin Lindor dhe atë Verilindor. Falë Projektit SENE3, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, mënyra se si grumbullohen dhe trajtohen mbeturinat tona po ridizajnohet plotësisht për t’u përputhur me standardet moderne evropiane.
Për vite me radhë, shumë qytete dhe fshatra janë mbështetur në deponi të vjetra jostandarde dhe grumbullim të parregullt të mbeturinave. Sistemi i ri po e ndryshon këtë. Ai krijon një rrjet të koordinuar ku mbeturinat do të sortohen (ndahen), transportohen dhe përpunohen siç duhet — në vend që të përfundojnë në natyrë.
Ja se si do të funksionojë në jetën e përditshme:
Çdo komunë do të marrë kosha të shënuar qartë për grumbullimin e ndarë të mbeturinave. Letra, qelqi, plastika dhe metali do të shkojnë në koshin e riciklimit, ndërsa mbeturinat e mbetura – të tilla si ushqimi dhe mbeturinat e kopshtit – do të mblidhen në një kosh tjetër. Amvisëritë do të marrin një rol aktiv në mbrojtjen e mjedisit jetësor përmes kompostimit në shtëpi – duke i shndërruar mbeturinat organike të përditshme në tokë të vlefshme dhe të pasur me lëndë ushqyese për një të ardhme më të gjelbër.
Do të krijohen dhe ndërtohen pika grumbullimi për mbeturinat elektrike dhe elektronike, mbeturinat e ndërtimit dhe mbeturinat e rrezikshme komunale, të cilat do të mbështesin sistemin e ri të menaxhimit të mbeturinave në Rajonin Lindor dhe atë Verilindor. Rrugët e rregullta të grumbullimit do të sigurohen që gjithçka të mblidhet në kohë dhe të transportohen mbeturinat në lokacionet e duhura.
Kur mbeturinat do të transportohen nga lagjja juaj, ato së pari do të shkojnë në stacionet e transferimit — objekte moderne lokale ku kamionë më të vegjël i shkarkojnë mbeturinat dhe ato ngjeshën (shtypen) përpara se të dërgohen në lokacionin qendror. Kjo e bën procesin më të shpejtë, më të pastër dhe më efikas, veçanërisht për komunat më të vogla ose rurale.
Nga stacionet e transferimit, mbeturinat do të vazhdojnë në Qendrën Rajonale të Menaxhimit të Mbeturinave në afërsi të Sveti Nikollës. Aty ku teknologjia e përparuar do të marrë përsipër. Instalimi i Ripërpunimit të Materialeve (MRF) do të rendisë (sortojë) materialet e riciklueshme nga koshat e mbeturinave të riciklueshme dhe koshat e mbeturinave të mbetura do të trajtohen në impiantin e Trajtimit Mekaniko-Biologjik (MBT), i cili do ta shndërrojë pjesën organike në Prodhim të Ngjashëm me Plehun organik – një material i dobishëm i stabilizuar që mund të përdoret si mbulesë për deponitë sanitare ose të dërgohet në një deponi sanitare për asgjësim përfundimtar.
Ajo që nuk mund të riciklohet ose ripërdoret do të shkojë në një deponi moderne sanitare, të projektuar sipas standardeve strikte të Bashkimit Evropian. Ndryshe nga deponitë e hapura që të gjithë i mbajmë mend, kjo deponi sanitare do të vuloset (mbyllet), monitorohet dhe pajiset për të parandaluar çdo ndotje të ajrit, ujit ose tokës. Lëngjet e kulluara dhe biogazi i prodhuar do të grumbullohen dhe trajtohen. Do të jetë destinacioni përfundimtar dhe i sigurt për mbeturinat e trajtuara që vërtet nuk kanë ku të shkojnë tjetër.
Në të njëjtën kohë, deponitë e vjetra jostandarde të mbeturinave në të gjithë rajonin po mbyllen dhe po pastrohen. Në vend të grumbujve të mbeturinave dhe tymit, këto zona po mbulohen, po rrethohen dhe po shndërrohen në hapësira të sigurta dhe të gjelbra.
Me një organizim më të mirë, rregulla të qarta të grumbullimit të mbeturinave dhe objekte të ndërtuara sipas standardeve të Bashkimit Evropian, qytetarët do të kenë rrugë më të pastra, mjedise më të shëndetshme dhe shërbime të besueshme për mbeturinat në të cilat mund të mbështeten.
Çdo qytetar ka një rol të vogël, por të rëndësishëm për të luajtur: të ndajë (selektojë) mbeturinat, të përdorë koshat e riciklimit dhe të grumbullimit dhe të ndjekë orarin e grumbullimit. Vetëm së bashku, mund të sigurohemi që sistemi i ri të ketë sukses — sepse lagjet më të pastra dhe një mjedis jetësor më i sigurt varen nga të gjithë ne.

Projekti SENE3, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, po ndihmon Rajonin Lindor dhe atë Verilindor të udhëheqin rrugën drejt një të ardhmeje moderne dhe të qëndrueshme në menaxhimin e mbeturinave — një të ardhme që fillon pikërisht në pragun tonë.
